Si ndikon dëshmia e gjeneralit Wesley Clark në çështjen ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë?

0

Shkruan Zef Ndreka

Për ta analizuar, të trajtojmë disa variante për mbrojtjen.

* Clark ndihmon në zbutjen ose çmontimin e disa akuzave kyçe.

Ky rast ndodhi në fakt sepse dëshmia e tij mbështeti qartë idenë se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të centralizuar komanduese.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi nuk ushtronin kontroll të drejtpërdrejtë mbi zonat ku ndodhën krimet dhe gjatë periudhës së luftës kishte kaos operacional, më shumë sesa organizim hierarkik i tipit “zinxhir komandues”.

Clark arriti ta ndërtojë këtë linjë argumenti dhe për mendimin tim gjykata mund të dobësojë elementin kyç të akuzës si përgjegjësi komanduese, si dhe të rrëzojë idenë e “strukturës së ndërmarrjes kriminale”.

Pra gjykata duhet të shkurtojë dënimet, ose në rastin më të mirë, të çojë në lirimin e një ose disa prej tyre në bazë të mungesës së provave direkte.

Ky do të jetë rasti më i mirë për mbrojtjen, por kërkon që dëshmia e Clark të mbështetej edhe nga prova të tjera në dosje.

* Mundesia reale.

Clark ndihmoi në balancimin politik dhe moral të çështjes, por pa ndryshuar rrënjësisht vendimin dhe ky është rasti më i mundshëm.

Dëshmia e Clark forcoi narrativën e mbrojtjes se udhëheqësit e UÇK-së ishin pjesë e një lufte çlirimtare, jo të një organizimi kriminal.

Ish-komandanti i NATO-s i dha peshë morale dhe ndërkombëtare mbrojtjes.

Gjykata do e konsideroje dëshminë, por ajo do të mbetet indirekte, sepse Clark nuk ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë në vendngjarje dhe nuk ka pasur qasje në strukturat operative të brendshme të UÇK-së.

Dëshmia e Clark pati efekt praktik, sepse mund të çojë në dënime më të ulëta, mund të rrëzojë disa pika të aktakuzës, por jo domosdoshmërisht do të jetë vendimtar për shpallje të pafajësisë totale.

Në këtë mundësi reale, Clark shërbeu si një “peshore morale”, jo si prova kryesore për akuzat e prokurorisë.

* Rasti më i keq i mundshëm.

Gjykata do ta vlerësojë pak ose aspak dëshminë e Clark.

Këtë rast do e bazojnë në faktet procedurale, ku

Gjykata e Hagës i jep përparësi provave materiale:

– dëshmitarëve okularë,

– dokumenteve operacionale,

– raporteve të brendshme,

– deklaratave të viktimave,

– komunikimeve të kohës së luftës.

Clark, si figurë politike dhe ushtarake e jashtme, nuk ka qenë pjesë e strukturës së UÇK-së, prandaj gjykata mund ta shohë dëshminë e tij thjesht si opinione strategjike, jo si fakte të drejtpërdrejta.

Në këtë rast, vendimi final mbetet kryesisht i pandikuar nga dëshmia, dënimet mund të mbeten të larta dhe procesi vazhdon mbi bazën e materialeve të prokurorisë.

Ky do të ishte skenari më i vështirë për mbrojtjen.

Gjithsesi, Clark ka shumë peshë politike, morale dhe simbolike, por peshë të kufizuar juridike në vetvete.

Ndikimi i tij më i mundshëm është ta zbusë panoramën e përgjithshme për ta, jo të përmbysë krejtësisht rastin.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu