Zgjedhjet në Kosovë, provë e pjekurisë shtetërore

0

Shkruan Zef Ndreka

Dje u zhvilluan zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Votuesit shprehën lirshëm vullnetin e tyre politik. Fitoi partia VV e Albin Kurtit.
Ajo që ndodhi në Kosovë dje nuk ka të bëje me rezultatin elektoral, por më shumë, tregoi se Kosova ka arritur për të disatën herë provën e pjekurisë shtetërore.
Pa hyrë në vlerësimin e fituesit apo humbësit, zgjedhjet parlamentare treguan disa standarde që për rajonin dhe veçanërisht në krahasim me Shqipërinë, janë domethënëse.
Së pari, procesi zgjedhor ishte i rregullt, transparent dhe me numërim rekord në kohë të votave. Kjo tregon jo vetëm eficiencë administrative, por mbi të gjitha besim në institucione. Kur vota numërohet shpejt dhe saktë, hapësira për alibi politike zvogëlohet ndjeshëm.
Së dyti, pranimi i humbjes nga opozita dhe urimi i fituesit është akt demokratik në vetvete. Nuk është formalitet, por kulturë politike. Është pranim i rregullave të lojës, respekt për sovranin dhe mesazh stabiliteti për shoqërinë dhe partnerët ndërkombëtarë.
Së treti, Kosova, si një shtet i ri, me plagë ende të hapura historike dhe presione të vazhdueshme të jashtme, arriti të demonstrojë se demokracia nuk matet me moshën e shtetit, por me sjelljen e aktorëve politikë.
Në kontrast, Shqipëria vazhdon të jetë peng i një modeli ku humbësi nuk humb kurrë,
fituesi është gjithmonë i manipuluar, zgjedhjet mbyllen, por konflikti politik sapo fillon.
Kjo diferencë nuk është teknike, por mentale dhe morale.
Në Kosovë po konsolidohet ideja se zgjedhjet janë mekanizëm zgjidhjeje, ndërsa në Shqipëri ato vazhdojnë të trajtohen si burim konflikti.
Në këtë kuptim, zgjedhjet në Kosovë janë një pasqyrë e pakëndshme, por e nevojshme për politikën shqiptare.
Demokracia nuk ndërtohet duke kontestuar gjithçka, por duke pranuar rregullat edhe kur humbet.
Dhe ndoshta ky është mësimi më i vlefshëm i këtyre zgjedhjeve.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu