Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka publikuar një video mbi përfundimin e një programi trajnimi të udhëhequr nga FBI për hetuesit e SPAK dhe BKH, aktivitet gjatë të cilit mbajti një fjalë edhe e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn.
Nga pamjet e ceremonisë, e zhvilluar në ambientet e Akademisë së Sigurisë, bie në sy mungesa e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Në aktivitet ishin të pranishëm drejtuesit e institucioneve kryesore të angazhuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve, përfshirë kreun e SPAK, Klodian Braho, drejtuesin e BKH, Joni Keta, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë. Kreu i Policisë së Shtetit mungonte jo vetëm fizikisht, por edhe në materialin vizual të shpërndarë nga Ambasada Amerikane.
Arsyet zyrtare të kësaj mungese nuk janë bërë publike. Megjithatë, përjashtimi i drejtuesit të një institucioni kyç për rendin dhe sigurinë, veçanërisht në një aktivitet të nivelit të lartë me mbështetje amerikane, shihet nga njohësit e zhvillimeve si domethënës.
Ilir Proda përballet me çështje të hapura me drejtësinë. Më herët, është raportuar se SPAK i ka sekuestruar telefonin në kuadër të një hetimi për rrjedhje të sekretit hetimor gjatë një operacioni, në periudhën kur ai drejtonte Policinë e Elbasanit.
Emri i Prodes është përmendur gjithashtu në lidhje me persona të krimit të organizuar, si dhe për përgjegjësinë e tij institucionale në ditën kur mbështetës të Erion Veliajt depërtuan në perimetrin e sigurisë së Prokurorisë së Posaçme, gjatë seancës për caktimin e masës së arrestit ndaj tij. Sipas burimeve, emri i tij figuron edhe në disa dosje të tjera të ndjeshme që ndodhen aktualisht në duart e prokurorëve.
Të gjitha këto zhvillime duket se kanë ndikuar në distancimin e tij nga aktivitetet zyrtare të Ambasadës së SHBA-së, e cila së fundmi ka intensifikuar mbështetjen e drejtpërdrejtë për SPAK dhe BKH në përballjen me krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta.
Ambasada e SHBA “fshin” Prodën në ceremoninë e FBI për SPAK dhe BKH
Promoted Content








