Dy ditë përpara vendimit që Gjykata Kushtetuese pritet të marrë për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar publikisht retorikën ndaj trupës gjykuese, duke e akuzuar Gjykatën se është përfshirë në një “farsë të shëmtuar” dhe duke krijuar perceptimin e një presioni të drejtpërdrejtë politik mbi vendimmarrjen e saj.
Ndërsa Gjykata po zhvillonte seancën për padinë e dy shoqatave të gjyqtarëve lidhur me ligjin e pagave të magjistratëve, Rama reagoi publikisht me akuza të forta, duke përdorur terma si “marrëbabëzi”, “skandal” dhe “turp kombëtar”. Seanca nuk u transmetua për publikun për shkak të problemeve teknike, çka e shtoi më tej tensionin rreth procesit.
Kryeministri akuzoi gjyqtarët se, pavarësisht se janë tashmë ndër kategoritë më të paguara në vend, po tentojnë të uzurpojnë kompetencat e Kuvendit dhe qeverisë përmes një vendimi gjyqësor që, sipas tij, synon të ndryshojë piramidën shtetërore të pagave. Rama e cilësoi kërkesën e shoqatave të gjyqtarëve si një përpjekje për t’i dhënë vetes të drejtën e rritjes së përhershme të pagave.
Padia në Gjykatën Kushtetuese lidhet me një ligj të miratuar në vitin 2023, i cili e lidh pagën referuese të magjistratëve me atë të Presidentit të Republikës. Ndryshimet ligjore sollën rritje të pagave në atë kohë, por më pas, pas rritjes së pagave të administratës civile, magjistratët nuk përfituan rritje të mëtejshme. Shoqatat e gjyqtarëve pretendojnë se kjo situatë bie ndesh me Kushtetutën.
Sulmet e Ramës ndaj gjyqtarëve janë lexuar si një përpjekje për të ndikuar mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ende nuk ka shpallur verdiktin. Kjo situatë bëhet edhe më e ndjeshme për faktin se Gjykata pritet të shqyrtojë gjithashtu kërkesën e kryeministrit kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.
Në të njëjtën kohë, Kuvendi ende nuk ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke e mbajtur çështjen pezull. Qeveria e ka justifikuar këtë zvarritje si një “standard europian”, ndërsa opozita dhe kritikët e shohin si mbrojtje politike.
Përplasja mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë po intensifikohet, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ballukun pritet të jetë një test i fortë për pavarësinë e institucioneve dhe ndarjen e pushteteve.








