Viti 2025 ka shënuar një rekord historik për numrin e shtetasve të huaj që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER), deri në fund të vitit rezultojnë 27,514 shtetas të huaj me leje qëndrimi aktive, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në vend.
Në krahasim me vitin 2024, numri i të huajve me leje qëndrimi është rritur me rreth 4,800 persona, ose 22% më shumë. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 65%, janë pajisur me leje qëndrimi për arsye punësimi, ndërsa 15% për bashkim familjar.
Kosova dhe Italia kryesojnë, por spikasin vendet aziatike
Nga totali i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri, shumica vijnë nga Kosova, me 6,076 persona, që përbëjnë rreth 22% të totalit. Krahasuar me vitin 2024, numri i shtetasve nga Kosova është rritur me 32%, ndërsa ata pajisen zakonisht me leje qëndrimi 5-vjeçare.
Në vend të dytë renditet Italia, me 3,776 shtetas, ose 14% të totalit, duke shënuar një rritje të fortë prej 75% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, viti 2025 shënon një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e emigracionit në Shqipëri, me rritje të fortë të shtetasve nga India, Filipinet dhe Egjipti, të cilët renditen respektivisht në vendin e tretë, të katërt dhe të pestë.
India: 2,399 persona (+47%), kryesisht të punësuar në shërbime dhe teknologji informacioni
Filipinet: 2,213 persona (+130%), të angazhuar kryesisht në shërbime shtëpiake, hoteleri dhe restorante
Egjipti: 2,007 persona (gati dyfish më shumë se në 2024), të punësuar në sektorë të ndryshëm, përfshirë bujqësinë
Shtetasit nga këto tre vende përbëjnë një pjesë gjithnjë e më të rëndësishme të fuqisë punëtore në Shqipëri.
Rritje edhe nga Turqia, SHBA dhe Azia Juglindore
Gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithashtu:
Turqia: 1,862 shtetas (+47%)
SHBA: 1,128 shtetas (+164%)
Mianmari: 445 shtetas (+77%)
Kina: 362 shtetas (+42%)
Nigeria: 184 shtetas
Aplikimet e reja në rritje të fortë
Gjatë vitit 2025 janë përpunuar gjithsej 19,321 aplikime për leje qëndrimi, kundrejt 13,176 aplikimeve në vitin 2024, një rritje prej 47%.
Shtetësitë që kryesojnë aplikimet e reja janë:
India – 2,691 aplikime (14%)
Filipinet – 2,415 aplikime (13%)
Italia – 2,239 aplikime (12%)
Egjipti – 2,198 aplikime (11%)
Kosova – 1,813 aplikime (9%)
Turqia – 1,441 aplikime (7%)
Punësimi mbetet arsyeja kryesore
Nga aplikimet e reja në 2025:
65% ishin për leje unike punësimi
13% për bashkim familjar
rreth 5% për studime
vetëm 40 persona aplikuan për leje të përhershme qëndrimi
Nga totali i aplikimeve, 63.6% janë bërë nga meshkuj dhe 36.4% nga femra.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një vend destinacioni për punëtorë të huaj, veçanërisht nga Azia dhe Afrika, duke reflektuar ndryshime të thella në tregun e punës dhe strukturën demografike të vendit.








