Shkruan Hysni Gurra
Pas publikimit të dokumenteve nga dosja e pedofilit, Epstein, në shumë vende të botës, standardi moral dhe institucional tregoi se pushteti nuk është imunitet.
Dhjetëra zyrtarë të lartë dhe politikanë dhanë dorëheqjen apo janë larguar nga postet, jo sepse janë dënuar penalisht, por sepse është provuar ose dyshuar se kanë pasur kontakte, biseda apo marrëdhënie me Epstein.
Mes tyre Lajçak, një i turpëruar moral me biseda banale me pedofilin, dha dorëheqjen nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak. Po ashtu Lord Mandelson. Në telashe gjendet edhe princesha novegjeze e shumë njerëz të rëndësishëm në skenën botërore. Klintonët po shkojnë të japin shpjegime në Kongres, Trump është nën ethe permanente se mos i del ndonjë gjë e padëshiruar edhe atij.
Në shumë raste, bëhet fjalë vetëm për takime, email-e apo njohje shoqërore — megjithatë, përlyerja morale ka mjaftuar për secilin.
Pra, në demokraci normale, besimi publik është kapital, ai humbet jo vetëm kur shkel ligjin, por edhe kur komprometon etikën.
Në Shqipëri, jo vetëm të turpëruarit moralë, por as hajdutët nuk çajnë kokë për gjë.
Numri 1 dhe 2 të ekzekutivit shqiptar, shyqyr te Epsteini nuk kanë dalë deri tani, po dosjet dhe dyshimet penale u janë bërë kavaletë. Nuk përballen me akuza abstrakte, por fakte dhe dyshime serioze për krime penale, për kapje institucionesh, për përdorim të pushtetit e, mbi të gjitha, po dëshmojnë përditë se sistemin e drejtësisë e kanë një plastelinë në duart e tyre. Një sistem që bërtisnin se ishte i pavarur, sot e kanë ekspozuar publikisht si plastelinë që luajnë fëmijët me të.
Në Perëndim mjafton një njollë morale për të dhënë dorëheqjen, këtu krimi penal trajtohet si normalitet. Dhe një drejtësi që sillet si struc përballë arrogancës së subjekteve të saj.
Prej muajsh tashmë GJK ka futur kokën brenda ca sallave të akullta dhe nuk guxon të flasë. E parlamentit s’i plas fare për SPAK-un që kërkon arrestimin e numrit 2.
A kemi ne një parlament dhe drejtësi me idiotë? Jo. Ata thjeshtë janë njëjtë si shokët e Epstein, të kapur, të inçizuar dhe të shantazhuar sipas rastit.
Këta as sa Lajçak i turpëruar nuk kanë moral.








