Shkruan Zef Ndreka
Sot, kjo pyetja është thelbësore për shtetin e ri të Kosovës dhe njëkohësisht e rrezikshme për demokracinë kosovare.
Vetë pyetja është një shqetësim as i tepruar, as retorik, sepse sulmet e Vetëvendosjes ndaj Gjykatës Kushtetuese këto ditët e fundit tregojnë se nuk janë vetëm konflikt politik, por janë tregues i një logjike pushteti që nuk pranon kufij institucionalë.
Në çdo demokraci funksionale, Gjykata Kushtetuese është kalaja mbrojtëse e fundit, jo se mund të jetë e pagabueshme, por sepse është mekanizmi që ndalon shumicën të shndërrohet në sundim.
Në të gjitha rastet kur shumica parlamentare apo qeveria e sheh ligjin si pengesë, sjellja që përdor VV-ja, se Gjykata po pengon vullnetin e popullit, është e njohur!
Po ashtu, Elitat e vjetra po mbajnë peng shtetin!
Kjo është gjuha klasike e populizmit autoritar, ku vullneti elektoral përdoret si alibi për të nënshtruar institucionet e pavarura. Por demokracia nuk është vetëm votë, ajo është ndarje pushtetesh, kontroll dhe balancë.
VV-ja ka sulmuar gjyqësorin, ka delegjitimuar arbitrin kushtetues dhe përqendron pushtetin ekzekutiv e legjislativ. Kështu, rrëshqitja drejt autokracisë ka nisur edhe pse mbështetja popullore është reale apo jo..
Nga ana tjetër, opozita e dobët nuk justifikon kapjen e shtetit. Është e vërtetë që opozita në Kosovë është e fragmentuar, e konsumuar dhe shpesh e paaftë të artikulojë alternativë. Por mungesa e opozitës nuk e legjitimon partinë-shtet. Përkundrazi, në këto rrethana, përgjegjësia e shumicës është edhe më e madhe.
Në rastët kur opozita nuk ndjehet, institucionet duhet të ndjehen më fort, jo të shkatërrohen, sepse rikthehet partia–shtet dhe rreziku bëhet real.
Ajo që po shfaqet sot më Kosovë, është tendenca për identifikimin e shtetit me partinë, ku kritika po shihet si tradhti, ku kontrolli institucional po shihet si sabotim dhe Kushtetuta po shihey si pengesë procedurale.
E gjitha kjo, bie në kundërshtim flagrant me frymën e Kushtetutës së Kosovës, e ndërtuar pikërisht për të shmangur rikthimin e pushtetit absolut, pas një historie të gjatë autoritarizmi dhe ndërhyrjesh politike.
A po shkon Kosova drejt autokracisë?
Nuk është ende në atë pikë. Por po ecën në një terren të rrëshqitshëm. Autokracitë nuk lindin me grusht shteti, por lindin me votë, me legjitimitet dhe me sulme graduale ndaj institucioneve.
Nqs Gjykata Kushtetuese bie, nuk ka më asnjë filtër real ndaj vullnetit të një shumice që mund të bëhet arbitrare.
Pyetja më e drejtë, mbase duhet të ishte:
A do pranojë VV-ja të qeverisë brenda kufijve të ligjit, edhe kur ligji i thotë jo?!
Pikërisht, këtu matet demokracia, tek kufijtë që pushteti nuk duhet të guxoje ti shkelë. Jo tek brohoritjet e militantëve e të turmave…








