Konfliktet po shesin më shumë se kultura

0

Shkruan Zef Ndreka

Edhe një herë për emisionin.
Janë vetë banorët e Big Brother dhe produksioni i këtij spektakli që i vëndosën pikat mbi “i”.
Shqetësimi nuk qëndron tek kritika e një emisioni televizim, por tek një fenomen më i gjerë kulturor.
Si fillim, desha të theksoj dhe të vendosim gjërat në vendin e vet.
Nënë Tereza është një nga figurat më të njohura shqiptare në botë, fituese e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1979.
Gjergj Fishta është autori i veprës monumentale Lahuta e Malcís, një nga shtyllat e letërsisë shqiptare.
Ismail Kadare është autori i romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur, një nga veprat më të përkthyera shqiptare.
Ndërsa për Kosovën, Pavarësia u shpall me 17 shkurt 2008, ndërsa Çlirimi me hyrjen e trupave të NATO-s me 12 qershor 1999.
Ndaj, kur këto gjëra bazike nuk dihen nga figura publike në një program shumë të ndjekur si Big Brother VIP Albania, problemi nuk është vetëm individual, por është problem sistemi.
Janë shumë gjëra të vërteta që edhe duhen thënë troç, si psh, Big Brother nuk është filtër kulture dhe kjo kuptohet.
Big Brother është vetëm një filtër audience, që zgjedh njerëz që prodhojnë reagime, pa pretenduar domosdoshmërisht të promovojnë dije. Sepse po shikohet për fat të keq, se konfliktet po shesin më shumë se kultura.
“Vip”-at sot nuk janë më elitë, askund. Termi “VIP” është relativizuar. Mjafton të jesh i njohur, edhe i paformuar.
Në këtë rast, përgjegjësia është edhe e publikut, sepse audienca po shpërblen zhurmën, po shpërblen provokimin dhe injorancën me maksimum klikime dhe shikueshmëri, ndërkohë që televizioni nuk shikon arsye të ndryshojë formulë.
Po kaq i turpshëm është moderimi dhe perceptimi i anësisë në Big Brother, ku publiku po e shikon dhe po e ndjen se një moderatore si Monika Kryemadhi, sillet me tone shumë emocionale, shumë agresive apo të njëanshme, duke bërë që të bie përtokë besueshmëria e formatit.
Por e gjitha kjo, sjell edhe një rrezik më të madh , sepse po normalizohet injoranca direkt në prime-time, duke na u dukur “normale”. Pikërisht këtu lind ajo që po e përshkrujmë si alarm për rininë e sotme.
Gjithsesi, nuk duhet të biem në fatalizëm, sepse rinia nuk përfaqësohet vetëm nga disa banorë reality show, pasi ka plot të rinj të arsimuar, të lexuar dhe të angazhuar, por që nuk bëjnë zhurmë televizive.
Për ta thënë drejt e troç, situata shfaqet shqetësuese dhe është turp për ekranin.
Por më shumë se kaq, është një pasqyrë e asaj që konsumojmë si shoqëri, pasi kjo nuk është thjesht një lojë. Kjo është një pasqyrë.
Kur disa “VIP-a” nuk dinë kush është Nënë Tereza, nuk njohin autorin e “Lahutës së Malësisë”, nuk dinë kush ka shkruar “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, apo ngatërrojnë data themelore të historisë sonë kombëtare, atëherë problemi nuk është më individual.
Në fakt është alarm.
Sepse këta njerëz nuk janë në një dhomë private. Por janë në ekran, në sytë e mijëra të rinjve që i ndjekin, që i imitojnë dhe në mënyrë të pavetëdijshme, i marrin si model.
Lind pyetjet:
Çfarë modeli po japin ato banorë?
Që mund të jesh i famshëm pa ditur as gjërat më elementare?
Që zhurma vlen më shumë se dija?
Që arroganca mbulon padijen?
Dhe kur kësaj i shtohet një moderim që shpesh kalon kufijtë e etikës, me tone të larta, emocione të pakontrolluara dhe perceptim të qartë anësie, atëherë spektakli humbet edhe atë pak seriozitet që mund të kishte.
Ky nuk është më argëtim i pafajshëm. Është degradim i standardit.
Rinia shqiptare meriton më shumë. Publiku meriton më shumë. Shqipëria meriton më shumë.
Sepse në fund, ajo që shfaqet në ekran, nuk mbetet vetëm aty. Ajo bëhet normë.
Dhe kjo është më e rrezikshme se çdo lojë.
Është turp.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu