GJKKO ka hequr masat e sigurisë ndaj Ajola Xoxës, bashkëshortes së Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke miratuar kështu kërkesën e paraqitur prej saj.
Xoxa ndodhej nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”. Xoxa kërkoi lehtësim të masave së sigurisë duke argumentuar se gjendja e saj shëndetësore, për shkak të shtatzënisë, kërkon trajtim më fleksibël, si dhe mundësinë për të lëvizur jashtë vendit.
Kërkesa e saj u pranua nga trupa gjykuese e përbërë nga Engjëllushe Tahiri, kryesuese, si dhe Elsa Ulli dhe Alma Kodraliu, anëtare, të cilat janë gjyqtare themeli në procesin ndaj Erion Veliajt etj.
Ndaj Xoxës, në shkurt të vitit 2025, janë vendosur masat e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim, dhe dosja tashmë ndodhet në gjykim në themel prej 9 shkurtit të këtij viti.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në masën “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa ndaj tij SPAK ka ngritur 13 akuza, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave, mosdeklarimin e pasurisë dhe shpërdorimin e detyrës.








