Shkruan Eliona Kodra Shkreli
Sa herë që afrohet sezon zgjedhjesh, Edi Rama shpik dhe shpalos propagandën e rradhës për vjeljen e votave….Një skenar tashmë i stërnjohur: projekte të mëdha, shifra marramendëse dhe premtime që mbeten në sirtarët e harresës!
Qeveria e Ramës kujtohet për “zhvillimin” e Shkodrës vetëm në prag fushatash, kjo nuk është thjesht një strategji e dalë mode por edhe një tentativë e tij për të shmangur vëmendjen nga problemet reale të Shkodrës e shkodranëve, si largimi masiv i të rinjve, ekonomia e brishtë dhe mungesa e perspektivës të cilat u mbollën nga keqqeverisja e Tij dhe që u thelluan me ardhjen në krye të Bashkisë Shkodër të të pandehurit të drejtësisë, Benet Beci!
“Porta e Alpeve” me 100 milion eurot e saj, i prezantohet shkodranëve në prag të fushatës për zgjedhjet lokale si një hyrje drejt zhvillimit. Por, harron Rama se shkodranët e kanë të prekur e të stërprekur propagandën e rrejshme të tij që prej 3 vitesh kur Shkodrës i serviri hajdutin tashmë të pandehur të drejtësisë, Benet Beci!
Si dy gënjeshtarë me “hundë” Pinoku, Rama dhe Beci akoma nuk kanë përfunduar projektet e “dala boje” të fushatave të kaluara si, rruga e Dukagjinit, aksi Bërdicë-Ura e Bahçallëkut, Hyrja e Shkodrës, rruga Shirokë-Zogaj, terminali i autobuzëve që është harruar, për të mos folur pastaj për autostradën Milot-Shkodër që premtohet dhe nuk realizohet…
Kjo nuk është më çështje projektesh, por besueshmërie. Shkodranët nuk kanë nevojë për “porta” të reja në letër, por për rezultate reale sepse propaganda mund të ndërtojë fasada, por nuk ndërton besim.
“Porta e Alpeve” është një tjetër slogan i gënjeshtërt elektoral i “bojatisur” me një shumë të majme investimesh imagjinare të cilat bëhen të pabesueshme, sidomos kur premtohen nga mjeshtrat e gënjeshtrës, Rama-Beci!
Shkodranët meritojnë më shumë sesa premtime sezonale. Ata meritojnë projekte që nisin dhe përfundojnë jashtë logjikës së fushatave, me rezultate të prekshme!
Modeli Rama-Beci nuk sjell më asgjë të re sado që të mundohen të hapin “porta” investimesh pasi qeverisja e tyre qëndrore dhe lokale ka shkatërruar Shkodrën në ekonomi, kulturë, trashëgimi e histori me mungesë investimesh duke treguar urrejtjen gjenetike që ata kanë për Shkodrën e vlerave të lirisë dhe demokracisë!








