Gazment Bardhi akuzoi kryetarin e Kuvendit se po shkel rregulloren dhe Kushtetutën pasi ka refuzuar 3 kërkesa për interpelancë, duke theksuar interpelancën me kryeministrin Edi Rama e planifikuar për seancën e sotme.
Bardhi tha se kërkesat për interpelanca do t’i dërgohen Gjykatës Kushtetuese, ndërsa i kërkoi Peleshit të japë dorëheqjen nga detyra pasi nuk ka guxim të detyrojë Ramën të vijë në Kuvend.
“Pse ju si kryetar i Kuvendit në shkelje të kushtetutës refuzuat interpelancën me Ramën. Jeni shkelës konstant i Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. Sipas rregullores së Kuvendit, së pari duhet të kishe njoftuar seancën plenare te njoftimet që ka ardhur një interpelancë dhe e keni refuzuar. T’i jepni mundësinë grupit parlamentar të PD se nuk është dakord të japë argumentet e veta pse nuk bie dakord me refuzimet e kryetarit të Kuvendit. 3 kërkesat e refuzuara do t’i dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese për tejkalim kompetencash. Ke marrë përsipër të asgjësosh parlamentarizmin dhe demokracinë. Nëse nuk zbatoni Kushtetutën dhe nuk sjell dot Edi Ramën në seancën plenare, jep dorëheqjen. Ke frikë t’i thuash kryeministrit që je i detyruar të japësh llogari në seancë plenare. Nuk ke guxim. Ki guxim të paktën dhe tërhiqu nga ajo pozitë.”, tha Bardhi.
Kreu i Kuvendit Niko Peleshi paralajmëroi Gazment Bardhin, me masë disiplinorë ‘tërheqje vëmendje’ për fjalor joparlamentar.
“Së pari, tonaliteti nuk ju bën të keni të drejtë. Shkundja me dorë gjithashtu nuk ju jep të drejtë. Më ke qëlluar ti në ditën e parë me Kushtetutën dhe unë e kapa në ajër, atë përdor. Me shkrim ju kam çuar raportin në përgjigje të të gjitha shqetësimeve tuaja dhe e di që mund të jetë e hidhur kur shifrat përballen me shifrat, por kjo është demokracia. Lidhur me interpelancën e kërkuar, nuk ka shkelje të rregullores, larg qoftë të Kushtetutës sepse je njoftuar brenda orarit të punës dhe keni kërkuar të shpreheni 10 minuta. Fjalën tuaj këtu do ta zhvesh nga gjithë përmbajtja politike dhe po e marr si kërkesë për t’u shprehur këtu 10 minuta. Nuk është provokim, përkundrazi po u shmangem. Për fjalor jo parlamentar, merrni masën disiplinore tërheqje vëmendjeje”, tha Peleshi.







