Kreu Politikë Lufta për kryetar të PD-së, Salianji ankimon zyrtarisht përjashtimin nga gara

Lufta për kryetar të PD-së, Salianji ankimon zyrtarisht përjashtimin nga gara

0
21

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, ka ankimuar këtë të hënë zyrtarisht përjashtimin e tij nga gara për kryetar të PD-së.

Salianji kërkon nga Kryesia dhe Komisioni i Apelimit që të shpallin të pavlefshëm vendimin për përjashtimin e tij nga gara dhe konstatimin e pavlefshmërisë së vendimit për përjashtimin e tij si anëtar Kryesie.

Partia Demokratike përjashtoi Ervin Salianjin nga gara për kryetar, duke mos i dhënë mundësinë të kandidojë në zgjedhjet e 23 majit përballë Sali Berishës.

Sipas PD, Salianji nuk rezulton më pjesë e anëtarësisë së partisë, çka e bën të pamundur kandidimin e tij.

“Salianji nuk mund të kandidojë, nuk është më anëtar i PD”, thuhet në përgjigjen e sekretarit të përgjithshëm të partisë.

Vetë Salianji nuk e kishte përjashtuar mundësinë për të hyrë në garë, por rifreskimi i listave të anëtarësisë e ka lënë atë jashtë strukturave të PD-së.

Ai konsiderohej një ndër figurat kryesore që mund të sfidonte Berishën, me të cilin kishte pasur përplasje politike, përfshirë organizimin e takimeve paralele me demokratët.

Përjashtimi i Salianjit lidhet me kriteret e reja të miratuara nga partia gjatë procesit të rifreskimit të anëtarësisë, ku përjashtohen ata që kanë vepruar kundër interesave të PD-së ose kanë mbajtur qëndrime në kundërshtim me vijën politike të saj.

“Kanë punuar kundër interesave të Partisë Demokratike në fushatat zgjedhore, duke u angazhuar në forma të ndryshme pro kundërshtarëve tanë politikë; apo ata që, me qëndrimet e tyre publike dhe politike kanë vepruar kundër vijës politike të Partisë Demokratike, kanë bashkuar votat/qëndrimet me kundërshtarët tanë politikë për çështje shumë të rëndësishme në nivelin vendor apo qendror”, thuhet në udhëzim e shpërndarë nga PD.

Lufta për kryetar të PD-së, Salianji ankimon zyrtarisht

Përplajsa në distancë Salianji-Berisha

Kriza shpërtheu publikisht pas sinjaleve të Salianjit se do të sfidonte Berishën në garën për kreun e PD-së. Që në mars, ish-deputeti demokrat nisi një seri takimesh në bazë, ku kritikonte lidershipin aktual dhe kërkonte “një opozitë të re”. Në 9 prill, nga Vlora, ai sulmoi mënyrën se si po drejtohej partia, duke ironizuar “fishekzjarrët politikë” të Berishës dhe duke paralajmëruar se PD po hynte në zgjedhje pa vizion e pa shpresë reale për fitore.

Tensionet u rritën pas protestës së opozitës më 17 prill, të cilën Salianji e konsideroi dështim politik. Në një intervistë televizive më 21 prill, ai deklaroi hapur se “Berisha është kthyer në pengesë për opozitën”, duke shtuar se gjuha politike e kreut të PD-së ishte “e tejkaluar” dhe se partia ndodhej “më dobët se katër vite më parë”. Salianji akuzoi drejtimin aktual se kishte larguar figurat me kontribut dhe se protestat nuk frymëzonin më demokratët.

Në të njëjtën periudhë, ai nisi sulme edhe më të forta personale ndaj Berishës. Në një dalje publike në Kukës, më 19 prill, Salianji deklaroi se “PD po shkon drejt një humnere” dhe se edhe drejtues brenda partisë pranonin privatisht se “me Sali Berishën nuk vijmë dot në pushtet”. Ai e quajti programin politik të opozitës “steril, të plakur dhe pa vizion”.

Konflikti mori përmasa dramatike më 15-16 prill, kur Berisha akuzoi Salianjin për lidhje me figura të botës së krimit, si Ergys Agasi. Kryedemokrati deklaroi se Salianji kishte kaluar verën në dreka e darka me Agasin.

Reagimi i Salianjit ishte i ashpër. Ai tha se Berisha po shfaqte “gjendje të rënduar psiko-emocionale” dhe e akuzoi se po përdorte “metoda të vjetra të baltosjes” nga frika e garës. Në deklaratat e tij, Salianji këmbënguli se Berisha nuk pranonte konkurrencën e brendshme dhe se po tentonte të mbante partinë nën kontroll personal.

Përplasja arriti kulmin në fillim të majit, kur Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në PD skualifikoi të gjithë kandidatët përballë Berishës, duke e lënë atë të vetëm në garën e 23 majit për kreun e partisë. Në listën e emrave të refuzuar përfshihej edhe Ervin Salianji.

Pas këtij vendimi, Salianji shpërtheu publikisht kundër Berishës. Ai deklaroi se kreu i PD-së “humbi burrërinë” duke mos pranuar garën dhe se po e çonte partinë drejt shuarjes. “PD nuk meriton të shuhet për shkak të liderit të saj”, shkroi ai në reagimin e publikuar në rrjetet sociale.

Në vijim, Salianji publikoi edhe një video të vjetër të Berishës, ku ky i fundit deklaronte se “turpi i historisë i mbuloftë ata që mbrojnë zgjedhjet me një kandidat”. Ish-deputeti demokrat e përdori videon për të akuzuar Berishën për hipokrizi politike, duke thënë se sot ai po bënte pikërisht atë që dikur dënonte.

Një tjetër pikë përplasjeje ishte statusi “non grata” i Berishës. Salianji deklaroi se ish-kryeministri ishte shpallur “non grata” në SHBA dhe Britaninë e Madhe “për shkak të lidhjeve me krimin dhe përdorimit të tij për influencë politike”.

Ndërkohë, njerëz pranë Berishës nisën kundërsulmin politik dhe procedural. Nga selia blu u artikulua ideja se Salianji nuk plotësonte kriteret statutore për të kandiduar dhe se nuk kishte më status aktiv brenda partisë. Në media pranë PD-së u hodhën aludime për përjashtimin e tij de facto nga strukturat drejtuese.

Përplasja Berisha-Salianji po shihet tashmë si beteja më e fortë për kontrollin e Partisë Demokratike pas rikthimit të Berishës në krye të saj. Nga njëra anë qëndron lideri historik që synon të ruajë dominimin absolut mbi opozitën dhe nga ana tjetër, Salianji po përpiqet të paraqitet si simbol i një brezi të ri demokratësh që kërkojnë distancim nga modeli i vjetër politik i PD-së.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu