Shkruan Zef Ndreka
Dita kombëtare e nderimit, është festa më e re në Gjermani, e cila këtë vit u festua për herë të parë pikërisht sot më 23 maj dhe na ftoi që të rikujtojmë rëndësinë e kësaj fjalie:
“Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm”.
Në fakt, ky është Neni 1 i Ligjit themelor, pra i kushtetutës së Gjermanisë, i asaj kushtetute që nga viti 1949 përbën bazën e shtetit demokratik.
Dita kombëtare e nderimit, sot u festua në çdo qytet të Gjermanisë, për ti thënë mbarë njerzimit se demokracia nuk është diçka e vetëkuptueshme. Por ajo jetohet nga fakti që njerëzit marrin pjesë aktive, marrin përgjegjësi dhe mbrojnë vlerat e përbashkëta. Sidomos në një kohë sfidash shoqërore, kjo bëhet gjithnjë e më e qartë se sa të rëndësishme janë liria, dinjiteti njerëzor dhe respekti i ndërsjellë për bashkëjetesën.
Dita kombëtare e nderimit, na kujtoi rëndësinë e kësaj fjalie, e cila përbën bazën e shtetit demokratik gjerman, që garanton të drejtat themelore dhe mbron lirinë e të gjithë qytetarëve.
Njerëzit e të gjitha brezave inkurajohen të reflektojnë se çfarë do të thotë demokracia për ta, inkurajohen të marrin pjesë aktivisht dhe të kontribuojnë pozitivisht në mjedisin e tyre, pa skena të mëdha politike, por me angazhim të përditshëm në komunitet.
Po në Shqipëri, a cënohet dinjiteti, sa i garantuar është paprekshmëria e tij?
Sigurisht pyetja është retorike, sidomos sot kur shikon sa u nëpërkëmb dhe sa u vetënëpërkëmb dinjiteti i demokratëve në një tjetër farsë pa garë për të “zgjedhur” të paracaktuarin.
Sa larg dinjitetit jemi, sa larg..!







