Përgatiti: Albert Vataj
Në arsenalin e trashëgimisë kulturore të Indisë, paduka nuk përfaqëson thjesht një nga format më të vjetra të këpucëve në histori, por një objekt me ngarkesë të thellë rituale, filozofike dhe sociale.
Kjo sandale unike, e karakterizuar nga një taban i ngritur dhe një thumb (rruzë) që kapet midis gishtit të madh dhe atij të dytë të këmbës, mbetet ende sot një dëshmi e gjallë e mbijetesës kulturore. Për mijëra vjet, ky dizajn gjenial dhe minimalist ka përmbushur një funksion trefishtë, praktik, ekologjik dhe asketik. Ai e ngrinte shputën mbi tokën përvëluese të nënkontinentit indian, duke e mbrojtur nga gurët dhe mbetjet, por mbi të gjitha, minimizonte kontaktin me tokën, duke respektuar parimin e shenjtë të Ahimsas, moslëndimit të qenieve të gjalla, përfshirë insektet e vogla.
Ndonëse e përdorur gjerësisht nga të gjitha klasat, paduka shpërfaqte hapur statusin social dhe autoritetin përmes materialit dhe mjeshtërisë së punimit. Ndërsa shtresat e thjeshta përdornin dru masiv, elita aristokratike dhe mbretërore mbathte kryevepra të vërteta mikrogdhendjeje të punuara nga argjendi, tunxhi, fildishi dhe të zbukuruara me damaskari ari.
Në traditën artizanale, drurët e çmuar si tiki, ebani i zi dhe druri aromatik i sandalit ktheheshin në objekte adhurimi. Gdhendjet shpesh merrnin forma zoomorfe, aplikimi i figurës së peshkut nuk ishte thjesht dekorativ, por mbartte kodin e lashtë të pjellorisë, lëvizjes së lirë të shpirtit dhe bollëkut ujor e tokësor. Format e tjera përfshinin motive florale ose gjeometrike të incizuara me fildish e argjend, duke i kthyer këto këpucë në bizhuteri të ekuilibrit.
Paduka shënonte kufijtë midis jetës së përditshme dhe asaj ceremoniale. Palë të veçanta, të punuara me një luks mahnitës, ruheshin ekskluzivisht për rite kalimi, siç ishin ceremonitë martesore, ku dhëndri ecte drejt altarit si një figurë gati hyjnore.
Në polin tjetër, atë të asketizmit dhe mistikës, paduka lidhej ngushtë me figurën e mësuesve shpirtërorë (guruve) dhe sadhush (njerëzve të shenjtë). Për këta të fundit, ekzistonte një variant ekstrem: paduka prej druri e mbushur me gjemba ose gozhdë metalike. E parë me syrin e sotëm, kjo ngjan si një mjet torture, por për pelegrinët në udhëtimet e tyre shpirtërore, ecja mbi gjemba ishte një akt i vetëdijshëm i kapërcimit të dhimbjes fizike, një mjet për të disiplinuar mendjen dhe për të demonstruar triumfin e shpirtit mbi materien (Tapas).
Në epokën moderne, paduka ka kapërcyer dobinë e saj praktike për t’u bërë një relikt i adhurimit; në shumë tempuj, gjurmët e këmbëve të zotave ose guruve të mëdhenj adhuronhen pikërisht në formën e këtyre sandaleve mistike, duke na kujtuar se ndonjëherë, madhështia e një civilizimi shihet nga gjurmët që ai lë pas.








