Shkruan Rigels Seliman
Beteja ligjore për drejtimin e Partisë Demokratike ka marrë një kthesë dramatike që pritet të shkundë themelet e politikës shqiptare. Pas vizitës së tij historike në Shtëpinë e Bardhë për 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA-së), ku ndoqi nga afër fjalimin e Presidentit Donald Trump, Lulzim Basha po kthehet me një fuqi të re politike. Dosja e nxehtë e vulës së PD-së, e cila ndodhet në Gjykatën e Lartë, ku Basha ka dorëzuar një rekurs voluminoz prej plot 69 faqesh, pritet që shumë shpejt të merret në shqyrtim. Përmes këtij rekursi, z. Basha kërkon urgjentisht pezullimin e vendimit që i dha vulën Sali Berishës, duke synuar bllokimin e menjëhershëm të përdorimit të saj. Ai kërkon gjithashtu shfuqizimin e plotë të vendimit të Shkallës së Parë të gjyqtarit Agron Zhukri të 23 marsit 2022 dhe vendimit të Apelit, si dhe pushimin e të gjithë gjykimit të mëparshëm. Kjo lëvizje vjen në një moment kritik, pasi nën drejtimin e Berishës, Partia Demokratike ka pësuar rënie drastike, duke u katandisur në situatën më të keqe historike.
Madje, në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2025, Berisha korri një rezultat zhgënjyes, duke dalë shumë më dobët në votime sesa Basha. Nga ana tjetër, rezultati i vitit 2021 nën udhëheqjen e Lulzim Bashës mbetet më i miri i të gjitha kohërave për PD-në, duke vërtetuar se ai është i vetmi lider që mund të sjellë ndryshimin e vërtetë në Shqipëri. Z. Basha ka çdo të drejtë legjitime dhe morale të vijojë këtë betejë për të rimarrë partinë dhe për ta shpëtuar atë nga gremina ku e ka çuar Rithemelimi. Pra me këtë lëvizje të fortë ligjore dhe mbështetjen e pastër që vjen nga Uashingtoni, pozitat e Sali Berishës ndërlikohen jashtëzakonisht shumë. Berisha tashmë rrezikon seriozisht të humbasë jo vetëm vulën e PD-së, por edhe të gjithë drejtimin e opozitës. Fitorja e Lulzim Bashës në Gjykatën e Lartë duket më afër se kurrë, dhe me marrjen e vulës, PD pritet t’i rikthehet rrugës së saj perëndimore dhe fituese nën lidershipin e tij të padiskutueshëm.
Ndërkohë theksojmë se kjo betejë e re vjen si kapitulli final i një përplasjeje të gjatë që nisi që në shtator të vitit 2021, kur Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar pas shpalljes së tij “non-grata” nga SHBA, çka pasoi me ndarjen e partisë në dy grupime, mbajtjen e dy kuvendeve paralele dhe një sërë gjyqesh maratonë për vulën dhe logon zyrtare. Më poshtë po pasqyrojmë detaje nga dokumenti drejtuar Gjykatës së Lartë, teksa z. Basha ka renditur disa konkluzione dhe kërkesa të prera ligjore për të rimarrë kontrollin e logos zyrtare të PD-së.
Disa prej konkluzioneve në rekursin e Lulzim Bashës
1- Rezulton e provuar që ankimi i paraqitur nga Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Enkelejd Alibeaj i plotëson parakushtet formale për tu pranuar si një mjet ligjor si përfaqësues i subjektit Partia Demokratike e Shqipërisë.
2- Tagrat e përfaqësimit të Nënkryetarit Enkelejd Alibeaj nuk kanë mbaruar në asnjë moment në kuptim të nenit 76 të Kodit të Procedurës Civile.
3- Rezulton e pranuar gjyqësisht si në gjykimin në Apel dhe në Gjykatë të Lartë që kemi të bëjmë me një palë dhe konkretisht Partia Demokratike e Shqipërisë.
4- Rezulton e provuar gjyqësisht që tagrat e përfaqësimit të PDSH-së i kanë pasur Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeja në vijimësi dhe se KPR nuk ka pasur në asnjë moment të vetëm tagra për përfaqësimin e PDSH-së.
5- Rezulton e provuar që as në Statutin e PDSH-së të vitit 2018 të regjistruar në 13.07.2021 dhe në Statutin e PDSH të miratuar në 17.07.2021 dhe të pa pasqyruar në regjistrin e partive politike në momentin e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë nuk ka asnjë organ të emërtuar Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit. Rezulton e provuar që mbledhja e “Kuvendit të PDSH-së” të datës 11.12.2021 është bërë në kundërshtim të hapur me dispozitat e Statutit të regjistruar të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe më konkretisht atij të vitit 2018 dhe të regjistruar në 13.07.2021.
6- Gjykata ka legjitimuar kërkuesin përpara se të vendoste për ligjshmërinë e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, Kuvend në të cilin është krijuar kërkuesi si organ statutor i ngritur në kundërshtim me dispozitat e te gjithë akteve staturore në diskutim në këto diskutime.
7- Gjykata ka vepruar në kundërshtim të hapur me nenin 392 të Kodit të Procedurës Civile, ndonëse kishte dijeni për ekzistencën e interesit të ligjshëm të një pale tjetër në gjykimin për vërtetimin e faktit juridik.
8- Përfaqësuesi i kërkuesit është legjitimuar në gjykim në kundërshtim me dispozitat e nenit 72 të Kodit të Procedurës Civile, Akti i përfaqësimit të përfaqësuesit të KPR eshtë lëshuar në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Proçedurës Civile Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka gjykuar pa pasur të administruar dhe pa u njohur me dosjen e regjistrimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
9- Formularët mbi të cilët pretendohet së është bërë thirrja e Kuvendit Kombëtar, në momentin e nënshkrimit të tyre nuk kishin në brendësi të tyre datën dhe orën e thirrjes së Kuvendit Kombëtar: se këto të dhëna janë vendosur në një moment të mëpasshëm kohor në mënyrë mekanike të njëjtë për të gjithë formularët. Ky fakt cënon plotësimin e kushtit të vullnetit të kërkuesve për datën e thirrjes së Kuvendit Kombëtar.
10- Nuk ka një organ administrues të procedurës së mbledhjes së formularëve, të hartimit të listës së përgjithshme të delegatëve, të lëshimit të mandateve të Kuvendit Kombëtar apo të drejtimit të fillimit të punimeve të tij.
11- Propozimet që i janë adresuar Kuvendit Kombëtar janë në kundërshtim me dispozitat statutore që rregullojnë ndryshimet e statutit.
12- Me miratimin e ndryshimeve statutore, pjesa e mbetur e vendimeve të marra nga Kuvendi Kombëtar nuk ishin më kompetencë e tij. Kuvendi i mbledhur duhet të shpërndahej e të mblidhej Kuvendi i ri sipas parashikimeve të Statutit të miratuar. Komisioni i Rithemelimit nuk ka tagra përfaqësimi në Gjykatë e për pasojë gjykata duhet të pushonte çështjen objekt gjykimi për mungesë legjitimiteti të kërkuesit.
13- Komisioni i Rithemelimit i është drejtuar gjykatës si përfaqësues pa pasur tagra përfaqësimi pasi vendimi nr.6 datë 11.12.2021 është ratifikuar në datën 19.12.2021 ndërsa kërkesa drejtuar gjykatës ka qenë në datën 15.12.2021.
14- Gjykata nuk ka analizuar provat nga ana e formës dhe përmbajtjes dhe relaton në vendim fakte të cilat nuk përputhen me provat që i janë nënshtruar gjykimit apo fakte të cilave nuk u gjendet burimi i marrjes dijeni nga gjykata.







