Kreu Aktualitet Sot, një ditë e veçantë në Spaç të Mirditës

Sot, një ditë e veçantë në Spaç të Mirditës

0
1

Shkruan Zef Ndreka

Që në mëngjes herët, sapo zbardhi dita, rreth orës 05:30, e nisëm me kafenë e parë në Lezhë, së bashku me gazetarin e publicistin Bardhok Lalaj dhe historianin e shquar, drejtorin e Muzeut Historik të Lezhës, Paulin Zefi.
Më pas morëm rrugën drejt Spaçit të Mirditës, në ish-kampin famëkeq të të burgosurve politikë, ku ishte paralajmëruar kremtimi i Meshës së Shenjtë nga Kardinali Ernest Simoni (Troshani), i cili kishte vuajtur vetë 13 vite burg pikërisht në atë vend.

Ishte një ditë e kthjellët, me diell dhe e ngrohtë. Por sapo makina u fut në luginën që Fabian Barkata e ka cilësuar si ndër më të bukurat në botë, aty ku bashkohen lumenjtë Fan dhe Mat, gjithçka mori një tjetër përmasë. Rruga në autostradën e re, Rruga e Kombit, u përshkua shpejt deri në Reps, ku ndaluam për një kafe të dytë dhe një pushim të shkurtër në kompleksin e shërbimeve. Nën rrezet e diellit që zbrisnin nga bjeshkët e larta të Oroshit, morëm më pas rrugën e vështirë dhe ende të paasfaltuar drejt Muzeut të ish-Burgut të Spaçit.
Gjatë udhëtimit bisedonim për Meshën e Shenjtë që do të kremtonte Kardinali 98-vjeçar. Si do të ishte ajo? A do të ndanim me të kujtime nga vuajtjet e burgut, nga shokët e tij të dënimit, apo gjithçka do të mbetej në kufijtë e një rituali të zakonshëm liturgjik?
Sapo mbërritëm në ambientet e ish-burgut, të parat që të binin në sy ishin makinat e televizioneve kombëtare, gazetarët e shumtë dhe lëvizja e pandërprerë e ekipeve mediatike. Mes tyre spikaste gazetari Ferdinand Samarxhi, i cili koordinonte me profesionalizëm vendosjen e kamerave dhe organizimin e hapësirave për të ftuarit.
Në orën 10:00 mbërritën të gjithë të ftuarit, sipas programit.
Më pas nisën çaste të paharrueshme me kremtimin e Meshës së Shenjtë, të udhëhequr nga Kardinali Ernest Simoni, në atë vend që mbart kujtesën e vuajtjeve, por edhe të qëndresës heroike të martirëve të lirisë dhe të besimit.
Mesha solemne, me një simbolikë të jashtëzakonshme, u organizua nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Bashkia Mirditë dhe Bashkia Lezhë.
Takimin e hapi kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Tiranës, Gjelosh Progni. Pas fjalëve përshëndetëse të disa personaliteteve, vendin e mori Mesha e rrallë, e cila preku thellë çdo të pranishëm.
Përkrah Kardinalit kishin ardhur meshtarë nga Kroacia, Mali i Zi, Kosova, Shkodra dhe Mirdita. Bukurinë e kremtimit e shtuan kori i Katedrales së Mirditës, tenorë dhe një violinist nga Tirana, të cilët i dhanë meshës një atmosferë të veçantë shpirtërore.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, deputetë, kryetarë bashkish, ish-të burgosur politikë të Spaçit, familjarë të viktimave dhe të dënuarve të regjimit komunist, si edhe shumë qytetarë.
Në përfundim të kësaj dite të paharruar, pjesëmarrësit u mblodhën në një drekë vëllazërore në kompleksin “Arbëri” në Rrëshen, ku të gjithë i uruan nga zemra Kardinalit Ernest Simoni shëndet, jetë të gjatë dhe bekimin e Zotit në misionin e tij fisnik.
Ai mbetet një dëshmi e gjallë se besimi, qëndresa dhe dinjiteti njerëzor janë më të forta se çdo diktaturë.
Paulin Zefi.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu