Kreu Politikë Ukraina, u rrjeshtua krah Serbisë dhe Rusisë!

Ukraina, u rrjeshtua krah Serbisë dhe Rusisë!

0
1

Shkruan Zef Ndreka

Qëndrimi i presidentit ukrainas V. Zelensky, i shprehur në Beograd se Ukraina nuk do ta njohë Kosovën, ka shkaktuar zhgënjim të madh tek shumë shqiptarë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Ky zhgënjim nuk lidhet thjesht me një mosmarrëveshje diplomatike, por me pritshmërinë që një shtet që ka përjetuar agresion ushtarak, shkelje të sovranitetit dhe cenim të integritetit territorial të tregojë më shumë ndjeshmëri ndaj çështjeve që prekin popuj të tjerë.
Shqipëria dhe Kosova kanë qenë ndër mbështetëset më të zëshëm të Ukrainës në forumet ndërkombëtare. Deputetë, përfaqësues politikë dhe institucione shqiptare kanë dënuar vazhdimisht agresionin rus, kanë mbështetur rezolutat në favor të Ukrainës dhe kanë shprehur solidaritet politik e njerëzor me popullin ukrainas.
Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ka kontribuar në qëndrimin e përbashkët të Aleancës dhe të partnerëve perëndimorë në mbështetje të Kievit.
Nga ky këndvështrim, deklarata e Zelenskyt në Beograd u perceptua nga shumë shqiptarë si një mesazh që nuk pasqyron frymën e solidaritetit që Ukraina ka kërkuar dhe ka marrë nga aleatët e saj. Është e kuptueshme që Ukraina, për shkak të interesave të saj diplomatike, ndjek një politikë të mosnjohjes së Kosovës, duke e lidhur këtë me shqetësimet për precedentët që mund të përdoren nga Rusia në territoret e pushtuara. Megjithatë, zgjedhja për ta ritheksuar këtë pikërisht në Beograd, në një moment simbolik dhe në një kryeqytet që vazhdon të mos e njohë shtetin e Kosovës, pati një peshë politike dhe emocionale shumë më të madhe.
Paradoks është se Rusia ka përdorur vazhdimisht veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të bllokuar konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës, ndërsa njëkohësisht e ka shkelur hapur të drejtën ndërkombëtare me agresionin ndaj Ukrainës. Kjo e bën situatën edhe më të ndërlikuar dhe krijon përshtypjen se të paktën, në perceptimin publik shqiptar, Zelensky u rreshtua në një çështje me një qëndrim që objektivisht përputhet me interesat e Serbisë dhe të Rusisë për sa i përket Kosovës, edhe pse motivet e Ukrainës janë të ndryshme.
Në diplomaci, shtetet veprojnë mbi bazën e interesave të tyre kombëtare dhe jo të mirënjohjes. Kjo është një e vërtetë që duhet pranuar. Por po aq e vërtetë është se solidariteti ndërkombëtar ndërtohet edhe mbi besimin, respektin dhe ndjeshmërinë ndaj aleatëve. Për këtë arsye, shumë qytetarë shqiptarë kanë të drejtë të ndihen të zhgënjyer nga mënyra dhe vendi ku u artikulua ky qëndrim.
Mbështetja për Ukrainën nuk duhet të kushtëzohet nga kjo deklaratë, sepse agresioni rus ndaj një shteti sovran mbetet i papranueshëm. Por edhe Ukraina duhet të kuptojë se miqësia ndërtohet mbi reciprocitet politik dhe moral. Një deklaratë e tillë, e bërë nga Beogradi, nuk i shërben afrimit me një popull që ka qenë ndër mbështetësit më të sinqertë të kauzës ukrainase në rajon. Përkundrazi, ajo krijoi një ndjenjë zhgënjimi dhe ngriti pikëpyetje mbi ndjeshmërinë diplomatike të Kievit ndaj një çështjeje me rëndësi jetike për shqiptarët.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu