Shkruan Paulin Maçaj
Ajo që pashë mbrëmë në protestë më shtyn të shkruaj sot me zemër të hapur e të shqetësuar. Vura re me syrin tim gjëra jo shqiptare e devijime jo të mira që treguan se duhet të luftojmë çdo të keqe që në embrion. Kështu, me dukje të pafajshme, lindën edhe të këqijat e komunizmit, pasojat e të cilit sot i vuan çdo familjar me vlera, çdo shqiptar që ka ruajtur besimin te Zoti dhe nuk i ka bërë duart me gjak. Ne jemi gjaku i pastër i kësaj toke, pasardhës të një trashëgimie të ndritur iliro-arbërore që i ka rezistuar çdo stuhie të historisë.
Fati e desh që pushtuesit e njëpasnjëshëm — nga zgjedha osmane, te pushtimet e tjera e deri te diktatura e egër e shkatërrimtare me komunizmin dhe vazhdimin e tij në këtë tranzicion — të mos e shuanin dot zjarrin e dinjitetit tonë kombëtar. Por dhembja më e madhe që na çjerr shpirtin mbetet te ajo pakicë me “gjen” përulësie, e cila u bë bashkë me çdo pushtues për të shfrytëzuar, vjedhur e dëmtuar vëllezërit e vet. Kjo mendësi servile po tenton edhe sot të na tjetërsojë vlerat, pronën dhe dinjitetin, duke na mbjellë antivlera, veshje, gjuhë e zakone të huaja që nuk kanë asnjë lidhje me rrënjët tona, me qëllim që të na shmangin nga e vërteta dhe ta zbrazin këtë vend nga rinia.
Ato që kërkojnë të fusin agjenda të huaja janë vetëm një pakicë që synon të shkatërrojë vlerat tona kombëtare. Por ne nuk duhet të lejojmë kurrë të shuhet ajo shpresë për Shqipërinë që gati po shuhej; përkundrazi, bashkimi i kësaj proteste të ndershme duhet të na ringjallë shpresën dhe besimin. Sot është koha të ngrihemi me dashuri të madhe për njëri-tjetrin, me motivim të pashuar dhe me synimin e qartë që vlerat tona të fitojnë duke e pastruar protestën nga çdo e keqe e importuar.
Duhet t’i bëjmë gjërat të qarta për çdo shqiptar që del në shesh me zemër të pastër: protesta jonë nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë lidhje me luftërat në Lindje apo kudo tjetër në botë. Na vjen keq për çdo sprovë e fatkeqësi njerëzore kudo ku ndodh — si në Iran, Izrael, Ukrainë apo Rusi — por ato nuk janë kauza jonë. Ne jemi shqiptarë dhe kemi trojet, vatrat, pronat dhe fëmijët tanë për të mbrojtur. E keqja jonë e vetme dhe më e madhe është këtu, brenda kombit tonë!
Vëlla për shqiptarin është vetëm shqiptari — pa asnjë dallim besimi apo krahine. Myslimani shqiptar është vëlla me katolikun shqiptar, nga Veriu në Jug, sepse na lidh e njëjta gjuhë e shenjtë shqipe, i njëjti gjak dhe të njëjtët stërgjyshër. Të mbrojmë me forcë gjuhën shqipe si të vetmen bazë kombëtare dhe të kthehemi te veshja, morali dhe tradita jonë e pastër.
Të kundërshtojmë me vendosmëri çdo predikim apo zakon të huaj — qoftë nga prifti apo hoxha — kur predikohen antivlera që godasin moralin tonë, që lejojnë martesat brenda gjakut, martimin e fëmijëve apo tjetërsimin e vatrave tona. Shenjtëria e familjes dhe e gjakut shqiptar nuk preket! Nuk duhet të lejojmë kurrë që revolta jonë e ndershme qytetare të përdoret apo të ndyllet nga agjenda të huaja që vetëm sa na përçajnë dhe e zhvendosin vëmendjen nga e vërteta.
Nuk ka më vend për frikë, përulje apo përshtatje me të keqen. Rruga e vetme për të kthyer dinjitetin, shpresën dhe buzëqeshjen në vatrat tona është bashkimi rreth të vërtetës, punës, ruajtjes së identitetit tonë origjinal dhe dashurisë së pastër vëllazërore. Kur shqiptarët bëhen bashkë me zemër e me besë për vlerat e tyre kombëtare, asnjë pakicë e korruptuar dhe asnjë e keqe nuk mund t’i mbajë më peng!







