Shkruan Zef Ndreka
Protesta qytetare po afron ditën e 50-të.
Shumë miq që më ndjekin, sigurisht të pa qartë për situatën që kalojmë, më pyesin kryesisht rreth çështjeve të mëposhtme:
Çfarë mund të ndodh?
A mund të japë dorëheqje Rama?
A do të mund të arrestohet Balluku?
A do të ketë ndryshim qeverie përpara shtatorit?
A do të ketë takim për kompromise mes Ramës dhe protestuesve për kërkesat e qytetarëve?
Sa rrezikon dhe cili do të jetë fati i Ramës, ndërkohë që duket se rruga drejt BE-së është më afër se asnjëherë?
Janë vërtetë pyetje thelbësore këto dhe do ju përgjigjem publikisht ashtu siç e mendoj, duke vlerësuar sa më ftohtë duke u mbështetur tek faktet dhe tek mënyra se si funksionon realisht politika,pavarësisht dëshirave të palëve.
Pas afro 50 ditësh protestë, mund të them se protesta ka treguar qëndrueshmëri, por ende nuk ka prodhuar asnjë moment kritik që ta detyrojë qeverinë të ndryshojë kurs.
Në sistemet parlamentare, siç është edhe Shqipëria, protestat e gjata janë të rëndësishme politikisht, por rrallë herë sjellin vetë ndryshimin e qeverisë pa u shoqëruar me krizë parlamentare, pa patur një përçarje të shumicës ose zhvillime të forta institucionale.
Dorëheqja e Edi Ramës, bazuar në situatën aktuale, duket pak e mundshme, ose e pamundur. Sepse ai vazhdon të ketë kontrollin e plotë të shumicës parlamentare dhe nuk ka asnjë sinjal publike deri më.sot se kjo shumicë po lëkundet.
Një dorëheqje e Edo Ramës, do të kërkonte një kosto politike shumë më të lartë sesa ajo që është krijuar deri tani, ndaj shihet si e mundur.
Ndërsa arrestimi i Belinda Ballukut nuk mund të parashikohet, sepse realisht kjo varet vetëm nga hetimet dhe vendimet e organeve të drejtësisë. Spekulimet politike asnjëherë nuk përbëjnë dhe nuk janë provë kundër saj. Kështu, pa një vendim të institucioneve kompetente, nuk mund të konsiderohet asnjë skenar i afërt.
Ndërsa për ndryshimet në qeveri, janë më të mundshme se dorëheqja e pritur nga protestuesit e Kryeministrit. Nqs presioni publik vazhdon pa ndërprerje ose do të lind nevoja për të dhënë një sinjal politik, një riformatim i kabinetit do të ishte mjeti që qeveritë e përdorin shpesh për të ulur tensionin. Dhe kështu mund të ndodhë.
Kurse dialogu me protestuesit mbetet vetëm një mundësi nëse protesta ruan karakterin qytetar dhe formulon kërkesa të qarta e të realizueshme. Vetëm kështu, qeveria mund të zgjedhë të negociojë për disa prej kërkesave. Megjithatë, nëse kërkesa kryesore mbetet vetëm largimi i Kryeministrit, hapësira për kompromis bëhet shumë më e kufizuar, në mos e pamundur..
Sa i përket fatit politik të Edi Ramës, ai do të varet nga disa faktorë që shkojnë përtej protestës, që lidhen me ekonominë, me perceptimin publik, me funksionimin e drejtësisë, nga marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe nga zgjedhjet e ardhshme.
Ndërkohë është fakt që Shqipëria duket më pranë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian se në çdo periudhë të mëparshme dhe kjo i jep qeverisë një argument të fortë politik. Kur procesi i negociatave vazhdon me ritëm pozitiv, kjo mund ta forcojë pozicionin e saj, pasi integrimi europian mbetet një objektiv me mbështetje të gjerë në shoqëri. Por nga ana tjetër, BE-ja pret gjithashtu rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit të së drejtës dhe funksionimin e institucioneve. Për këtë arsye, procesi i integrimit nuk përjashton hetime apo përgjegjësi individuale për zyrtarë të lartë.
Kështu, bazuar në situatën aktuale, duket qartë se protesta mund të vazhdojë edhe për një periudhë, duket qartë se mund të ketë lëvizje ose riformatim në qeveri, duket një shpresë se
dialogu mbetet i mundshëm, por jo i sigurt dhe se dorëheqja e Kryeministrit mbetet një skenar me probabilitetin më të ulët në këtë situatë. Gjithashtu çdo zhvillim penal ndaj zyrtarëve do të varet ekskluzivisht nga provat dhe vendimet e drejtësisë, jo nga dinamikat e protestës.
Në politikë, ndodh që ngjarjet mund të përshpejtohen papritur, por deri tani nuk ka elemente objektive që të tregojnë se sistemi politik ka hyrë në një pikë ku ndryshimi i menjëhershëm i qeverisë është i pashmangshëm…







