Shkruan Zef Ndreka
– Shqipëria ka nevojë për standarde, jo për kulte politike, ka nevojë për transparencë, jo për mite, ka nevojë për drejtësi, jo për hakmarrje.
Dhe mbi të gjitha, ka nevojë që marrëdhënia me SHBA-në të mos përdoret më si dekor për luftën e brendshme politike shqiptare.
Nga “non grata” tek ftesa për Konventën Republikane amerikane është një kthesë që kërkon shumë më tepër se entuziazëm partiak.
Kjo ftesë po na paraqitet si një kryelajm i politikës shqiptare që Sali Berisha ka marrë për të qenë pjesë e delegacionit të International Democrat Union në Konventën Kombëtare Republikane në SHBA.
Në fakt, lajmi është politikisht i rëndësishëm, por duhet parë me shumë kujdes dhe pa propagandën e njërës apo tjetrës palë.
– Së pari, është e rëndësishme të saktësohet se një ftesë politike nuk është vizë amerikane.
Ajo që është bërë publike është një ftesë e IDU-së për pjesëmarrje në një aktivitet të madh të Partisë Republikane në Dallas.
Deri tani, kjo nuk duhet interpretuar automatikisht si dhënie vize apo si një rehabilitim i plotë politik i Sali Berishës nga administrata amerikane.
– Së dyti, kemi përpara një fakt edhe më të rëndësishëm, që në qershor të këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se kishte dhënë waivers për disa persona të prekur nga masat e mëparshme sipas nenit 7031(c), duke argumentuar se raste të tilla mund të lidhen me një “interes kombëtar bindës”.
Në rastin e Berishës, kjo erdhi pesë vjet pas shpalljes së tij “persona non grata”.
Dhe këtu fillon problemi i madh politik.
Në maj 2021, SHBA e shpalli Berishën të papërshtatshëm për hyrje në territorin amerikan, duke e akuzuar për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm dhe duke deklaruar se veprimet e tij kishin minuar demokracinë dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.
Sot, pesë vjet më vonë, i njëjti person ftohet në një aktivitet të rëndësishëm të kampit republikan amerikan.
Kjo nuk mund të mos ngrejë disa pikëpyetje.
Nëse SHBA e ka ndryshuar vlerësimin e saj për Berishën, atëherë publikut shqiptar i detyrohet një shpjegim politik dhe institucional:
Çfarë ka ndryshuar?
A kanë ndryshuar faktet?
A ka ndryshuar vlerësimi amerikan?
Apo është thjesht një waiver për një rast të veçantë?
Apo kemi të bëjmë me një rikonfigurim të marrëdhënieve politike të administratës së re amerikane me aktorët politikë shqiptarë?
Këto janë pyetjet serioze që presin përgjigje pa patur nevojë për brohoritjet e militantëve.
Nga ana tjetër, është po aq e papranueshme të pretendohet pa prova se “miliona euro janë paguar” për këtë çështje. Nëse dikush ka prova për një pagesë të tillë, duhet ti paraqesë. Përndryshe, mbetemi në terrenin e thashethemeve politike dhe jo të fakteve.
Por një gjë është e sigurt se ndryshimi i qëndrimit amerikan ndaj Berishës ka një peshë të jashtëzakonshme në politikën shqiptare.
Sepse për pesë vjet “non grata” amerikane u përdor si një nga argumentet më të forta politike kundër tij. U përdor nga kundërshtarët e Berishës, nga një pjesë e opinionit publik dhe nga vetë politika shqiptare si një lloj verdikti moral e politik.
Tani, nëse një administratë tjetër amerikane i hap rrugë rikthimit të tij në SHBA, atëherë duhet pranuar se një pjesë e madhe e diskursit politik shqiptar të këtyre pesë viteve duhet rishikuar.
Por kjo nuk do të thotë as se Berisha është shpallur i pafajshëm për çdo akuzë, as se problemet e korrupsionit në Shqipëri janë zhdukur, dhe as se një ftesë në Dallas është çertifikatë morale.
Një shtet serioz nuk funksionon me “non grata” si dekor politik dhe as me ftesa partiake si çertifikata pafajësie.
Prandaj, ajo që do të ishte më e keqja për Shqipërinë është që kjo histori të shndërrohet përsëri në një betejë tifozësh ku një palë të thotë “Berisha u rehabilitua plotësisht”, ndërsa pala tjetër,“SHBA po tallet”.
Asnjëra nuk mjafton.
Ajo që duhet kërkuar është transparenca.
Nëse SHBA e ka ndryshuar qëndrimin ndaj një vendimi kaq të rëndë të vitit 2021, atëherë duhet të kuptojmë përse?! Sepse vendime të tilla nuk janë çështje personale të Sali Berishës. Ato kanë prekur drejtpërdrejt mënyrën se si politika shqiptare e ka parë marrëdhënien me SHBA-në, drejtësinë, korrupsionin dhe standardet demokratike.
Dhe nëse sot një ftesë politike mjafton për të harruar pesë vite akuzash, atëherë problemi nuk është vetëm tek Berisha.
Problemi është tek standardi që po i mësojmë politikës shqiptare.
Sepse demokracia nuk mund të funksionojë me një standard kur dikush është kundërshtar dhe me një tjetër kur bëhet aleat.
Në fund të fundit, as “non grata” nuk duhet të jetë një armë politike dhe as një ftesë amerikane nuk duhet të jetë një certifikatë pafajësie.
Shqipëria ka nevojë për standarde, jo për kulte politike, ka nevojë për transparencë, jo për mite, ka nevojë për drejtësi, jo për hakmarrje.
Dhe mbi të gjitha, ka nevojë që marrëdhënia me SHBA-në të mos përdoret më si dekor për luftën e brendshme politike shqiptare.







