Shkruan Bledian Koka
Rreziku për Edi Ramën prej kohësh vjen nga burgu. “Dorëheqja” e Drejtorit të Burgjeve, Adriatik Kupi, do të duhej të ishte një zhvillim i përditshëm banal brenda një mazhorance të zhytur në skandale dhe në një dekadencë pa ndalim. Do të ishte e tillë, sikur të mos ishte, në fakt, hakmarrja personale e Edi Ramës nën “avujt” e konspiracionit të ushqyer me kujdes nga Belinda Balluku dhe Ulsi Manja.
Videot me luanë dhe statuset me “hanxhi” të Edi Ramës, pasi arriti të ruante 85 vota në Kuvend, tregojnë qartë se, nëse reforma dështonte, pushteti i Ramës do të shpërbëhej jo vetëm në parlament!
Po ashtu, reagimi i Edi Ramës pas rikonfirmimit të mazhorancës fliste qartë për të gjitha frustracionet dhe paranojat që ai kishte përjetuar nga “kryengritja” e brendshme.
Deri tani Adriatik Kupi mund të konsiderohet si viktima reale e “kryengritjes” së socialistëve kundër Reformës Territoriale. E vërteta është se në krye të përpjekjejes për të sabotuar mazhorancë e Edi Ramës duke goditur “reformë ” qëndronte Erion Veliaj. Dy muajt e fundit, Veliaj kërkoi dhe realizoi disa dalje dhe “vizita” në një spital privat, nga ku besohet se zhvilloi një seri takimesh për të sabotuar shumicën e cilësuar të socialistëve në prag të votimit për Reformën Territoriale. Kundërshtimin, Veliaj e shprehu edhe zyrtarisht me qëndrimin e tij nga burgu.
Ata që i dekonspiruan takimet e Veliajt ishin Belinda Balluku dhe Ulsi Manja, duke njoftuar për këtë Edi Ramën. Në daljen e fundit nga burgu, drejt spitalit, Edi Rama e detyroi vetë Adriatik Kupin dhe policinë që të mos e lejonin Veliajn të takonte askënd në spitalin privat, përveç mjekëve.
Por, edhe pasi bëri “gardianin” e Veliajt për disa orë, Adriatik Kupi nuk arriti ta mbronte postin e tij. Ministri i Drejtësisë e refuzoi kërkesën e Edi Ramës për shkarkimin e Adriatik Kupit, duke u justifikuar me “profesionalizmin” e të besuarit të tij.
Në këtë pikë, besohet se vetë Edi Rama e urdhëroi Kupin të dorëhiqej, ndërsa “shkaqet” nuk i tha njeri. A është dorëheqja e Drejtorit te Burgjeve kaq e parëndësishme, apo rezultat i puçit të dështuar të Veliajt ndaj Ramës? Sic e thame me lart, per momentin rreziku Ramës i vjen nga burgu se aty i ka kundërshtarët…, aleatët akoma jashtë!
“Grupi armiqësor”, me Veliajn në krye, tentoi ta bënte puçin, por dështoi. “Falë” syve të mprehtë të Ulsi Manjës dhe pranisë-pazar të Belinda Ballukut në Kuvend, Edi Rama rezistoi sërish. Natën e votimit, Belinda Balluku u kujdes të shfaqte para kamerave që e filmonin buzëqeshjen tinëzare, e cila ishte së pari një mesazh për Ramën dhe nga ana tjetër një “fitore” e radhës ndaj Veliajt.
Pas këtij dështimi, atje në qelinë e tij, i vetmi ngushëllim për Veliajn ishte statusi i Erion Braces, që ia përplasi në fytyrë Maznikut atë “Nesti numëruesin”!
Ndërkohë, me largimin e Adriatik Kupit nga Burgjet, Belinda Balluku dërgoi menjëherë atje njeriun e saj të besuar.
p.s…Sepse, fundja, pasi i arrestoi armiqtë e saj (Gysin e Lalin), tani i duhet që edhe t’i mbajë nën vëzhgim!







