Kreu Analizë Dhuna është paaftësia e liderit për tu larguar kur interesi i vendit...

Dhuna është paaftësia e liderit për tu larguar kur interesi i vendit e kërkon …

0
4

Shkruan Zef Ndreka

Berisha i ’97-ës dhe Berisha i 2026-ës. Ndryshoi Shqipëria, por jo filozofia e tij politike.
– E keqja e Shqipërisë filloi në ’97-ën dhe nuk u ndal më.
Në shumë raste të historive politike, dorëheqjet kanë vlejtur më shumë se fitoret.
Dorëheqjet kanë ulur tensionin, kanë shpëtuar institucione, kanë shmangur përplasjet dhe mbi të gjitha, kanë vendosur një standard përgjegjësie për brezat politikë që vijnë më pas.
Shqipëria e humbi një moment të tillë në vitin 1997.
Sali Berisha duhej të kishte dhënë dorëheqjen në kohën kur vendi po rrëshqiste drejt humnerës. Pavarësisht përgjegjësive të shumta të aktorëve të asaj kohe dhe shkaqeve komplekse që çuan në katastrofën e ’97-ës, Presidenti i Republikës kishte përgjegjësinë më të lartë politike për të kuptuar se vazhdimi i qëndrimit në pushtet nuk po qetësonte krizën, por po e thellonte atë.
Dororëheqja nuk do të zgjidhte menjëherë gjithçka. Por mund të kishte shërbyer si valvul politike për një vend që po shpërthente.
Por ajo nuk ndodhi.
Dhe pikërisht këtu, sipas meje, fillon një nga sëmundjet më të rënda të tranzicionit shqiptar. Ajo është paaftësia e liderit për tu larguar kur interesi i vendit e kërkon largimin e tij.
Kanë kaluar afro tri dekada dhe Shqipëria është një vend krejt tjetër. Nuk mund dhe nuk duhet të barazojmë Shqipërinë e vitit 2026 me Shqipërinë e vitit 1997. Sot kemi institucione të tjera, jemi anëtarë të NATO-s dhe kemi një perspektivë evropiane shumë më të konsoliduar.
Por një ves i vjetër politik duket se ka mbijetuar, ajo është kultura e mosdorëheqjes.
Sali Berisha vazhdon të jetë në qendër të opozitës shqiptare edhe pas kaq shumë vitesh. Dhe paradoksi është i madh, sepse njeriu që duhej të kishte kuptuar që në vitin 1997 se politika ka edhe një moment largimi, vazhdon edhe në vitin 2026 ta konsiderojë largimin pothuajse të paimagjinueshëm.
Këtu nuk është më çështja vetëm e Berishës.
Është çështja e Partisë Demokratike, e opozitës dhe e vetë demokracisë shqiptare.
Sepse kur lideri bëhet më i rëndësishëm se institucioni që drejton, humbjet nuk prodhojnë ndryshime, por prodhojnë justifikime. Përgjegjësia zëvendësohet nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm. Gara politike zëvendësohet nga besnikëria. Ndërsa protesta rrezikon të mos përdoret më si instrument demokratik presioni, por si mënyrë për të mbajtur gjallë një konflikt politik pa fund.
Pikërisht këtu shfaqet ngjashmëria shqetësuese mes dy epokave.
Jo sepse 2026-a është ’97-a.
Por sepse filozofia politike e konfliktit mbetet e ngjashme. Në pamundësi për të arritur ta ndryshoj pushtetin përmes votës dhe alternativës politike, e zhvendos betejën në rrugë dhe e rris tensionin.
Pamjet e dhunës, shkatërrimeve dhe përplasjeve nuk i shërbejnë opozitës, aq më pak Shqipërisë.
Opozita demokratike ka të drejtën dhe detyrimin të protestojë. Ka arsye të kërkojë llogari për korrupsionin, keqqeverisjen, abuzimin me pushtetin dhe çdo deformim të institucioneve. Por protesta humbet forcën morale kur qytetarët shohin zjarre, sende të forta, dëmtime të pronës publike dhe një qytet që shndërrohet në arenë përplasjeje.
Qeveria duhet të mbajë përgjegjësinë e vet për gjithçka që ka prodhuar pakënaqësinë shoqërore. Por opozita nuk mund ta justifikojë dështimin e saj politik duke prodhuar kaos,
sepse Shqipërisë nuk i duhet një ’97 e dytë.
Pikërisht për këtë arsye, duhet thënë qartë, se përgjegjësia politike nuk është vetëm të dish të luftosh për pushtetin, por edhe të dish kur duhet të largohesh.
Po të ishte krijuar ky standard në vitin 1997, ndoshta tranzicioni shqiptar do të kishte marrë një drejtim tjetër. Ndoshta partitë do të kishin mësuar se kryetari nuk është pronar i partisë. Ndoshta humbja elektorale do të prodhonte ndryshim dhe jo bunkerizim. Ndoshta brezat e rinj do të kishin parë se edhe liderët historikë kanë një fund politik.
Por kjo kulturë demokratike nuk u krijua, ndaj
faturën vazhdojmë ta paguajmë edhe sot.
Problemi i Shqipërisë së vitit 2026 nuk është Sali Berisha si individ. Problemi është modeli politik që ai përfaqëson prej dekadash, pra lideri që nuk largohet, partia që nuk çlirohet prej liderit dhe konflikti që riciklohet sa herë që politika nuk prodhon rezultat.
Në ’97-ën, Shqipëria pagoi një çmim tragjik.
Në vitin 2026 kemi detyrimin të mos lejojmë që historia të na japë përsëri të njëjtin mësim me një faturë tjetër.
Sepse demokracia nuk matet vetëm me mënyrën se si vjen në pushtet, por me mënyrën se si di të largohesh prej tij.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron drama jonë e gjatë politike.
E keqja filloi atëherë, kur përgjegjësia nuk u shoqërua me dorëheqje. Dhe në forma të ndryshme, nuk është ndalur ende, me
Berishën e ’97-ës dhe Berishën e 2026-ës, ku ka ndryshuar Shqipëria, por jo filozofia e tij politike.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu