Kreu Analizë Protesta qytetare ka mbaruar, u kthye në molotov!

Protesta qytetare ka mbaruar, u kthye në molotov!

0
14

Shkruan Zef Ndreka

– Protestë molotovësh, me hijen e rëndë të vitit 1997 mbi Tiranën.
Ajo që nisi si revoltë qytetare, me pakënaqësi reale dhe me të drejtën legjitime për të protestuar, rrezikon të mos ketë më asgjë të përbashkët me protestën qytetare. Protesta u mor peng, u tjetër­sua dhe po drejtohet pikërisht atje ku kishim paralajmëruar, drejt përplasjes, dhunës dhe kaosit.
Tirana po digjet.
Tirana po tjetërsohet.
Tirana po humbet fasadat e saj nën zjarr, molotovë, thyerje dhe akte huliganizmi.
Sot duhet bërë një ndarje e prerë, me qytetarët që protestojnë por që nuk janë huliganë. Studentët që kërkojnë ndryshime nuk janë ato që djegin qytetin. Protestuesit paqësor duhen mbrojtur në të drejtën e tyre. Por ato që përdorin molotov, shkatërrojnë pronën apo sulmojnë njerëzit, duhet të përgjigjet individualisht përpara ligjit.
Kamuflimi pas studentëve dhe qytetarëve e ka tjetër­suar objektivin fillestar. Dhe sa më shumë protesta zhytet në dhunë, aq më e rëndë bëhet situata.
Lind pyetja:
Kush po e drejton realisht këtë përplasje dhe kujt i shërben ajo?
Mqs PD-ja e ka marrë politikisht drejtimin e protestës, atëherë nuk mund të kërkojë vetëm meritën e mobilizimit dhe të shmangë çdo përgjegjësi politike për drejtimin që ajo merr. Sali Berisha është nxitësi dhe drejtuesi politik i saj dhe sot askush nuk mund të fshihet pas “maskave” të të rinjve për të shmangur përgjegjësinë e vet.
Sa do të zgjasë kështu?
Shqipëria ka probleme serioze. Ka korrupsion, ka pakënaqësi, ka mosbesim ndaj institucioneve dhe arsye të shumta për protestë. Por asnjë prej tyre nuk krijon të drejtën për të djegur kryeqytetin apo për ta ndryshuar pushtetin me zjarr e dhunë.
Qeveritë ndryshohen me votë, me mekanizmat kushtetues dhe me protesta paqësore. Jo me molotov.
Edhe shteti, nga ana tjetër, duhet të qëndrojë brenda ligjit. Huliganizmi duhet ndalur me të gjitha mjetet ligjore dhe proporcionale, pa cenuar protestuesit paqësorë dhe pa e përdorur dhunën si justifikim për shtypjen e kundërshtimit politik.
Lind pyetja tjetër:
Nëse provohet se persona të caktuar kanë organizuar, kanë nxitur, kanë financuar dhe drejtuar akte konkrete dhune, a do të hetohet edhe përgjegjësia e organizatorëve dhe nxitësve, përtej atyre që hodhën molotovin?
Kjo nuk duhet vendosur nga politika dhe as nga turma. Duhet ta përcaktojnë provat, prokuroria dhe gjykata.
Shqipëria nuk duhet të lejojë një tjetër 1997. Pikërisht për këtë arsye duhet të ruajë njëkohësisht rendin kushtetues dhe të drejtën kushtetuese për protestë.
Demokracia është e destinuar të mbarojë në të dyja rastet kur turma mendon se mund ta zëvendësojë votën me zjarrin, por edhe kur pushteti mendon se mund ta përdorë zjarrin e turmës për të heshtur qytetarin.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu