Ditët kalojnë dhe ende nuk ka një vendim nga Gjykata se kujt i përket Partia Demokratike. Enkelejd Alibeaj i ka dërguar një letër gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit, Elona Toro, për përshpejtimin e gjykimit të ankimimit të bërë prej tij kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri në Shkallën e Parë.
Kjo pasi u njoh Kuvendi Kombëtar i PD më 11 dhjetor 2021, ku u shkarkua Lulzim Basha si kryetar dhe nisën procedurat që çuan në zgjedhjen e Sali Berishës në krye të partisë.
“Me pretendimin se ky vendim gjyqësor është dhënë në shkelje flagrante të ligjit, PD ka depozituar ankim kundër tij dhe më 22 prill 2022 ankimi është pranuar. Duke qenë të informuar mbi volumin e lartë të punës në Gjykatën e Apelit, ju drejtohemi me anë të kësaj kërkesë për të përshpejtuar caktimin e seancës gjyqësore të shqyrtimit të ankimit të paraqitur prej nesh, pa marrë për bazë radhën e çështjeve të tjera, të regjistruara në kohë më parë”, thuhet në letrën dërguar gjyqtares.