Organizata Qëndresa Qytetare ka publikuar së fundmi të dhënat e raportit të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) mbi aftësitë e mendimit krijues të nxënësve 15-vjeçarë në mbarë botën.
Shqipëria renditet në fund të listës, e klasifikuar në vendet që renditen nën mesataren, por edhe me pikët më të ulëta, përkatësisht me rezultatin më të ulët prej 13 pikësh në vend të fundit, teksa më i larti shënohet nga studentët e Singaporit me 41 pikë.
“Arsimi në Shqipëri duhet të shihet si një emergjencë kombëtare, pasi nëse arsimi bie ka rënë mbarë shoqëria”, shkruajnë aktivistët e Qëndresës Qytetare.
Qëndresa Qytetare është një organizatë që advokon për forcimin e rolit të qytetarëve në shoqëri me synim përmirësimin e qeverisjes.
Prej vitesh tashmë, aktivistët e kësaj organizate publikojnë raporte dhe studime lidhur me arsimin në Shqipëri, duke kërkuar ngritjen e nivelit të sistemit arsimor dhe politikave mbështetëse për studentët shqiptarë.
Aktivistët theksuan se gjetjet e këtij studimi të PISA rezultuan dramatike për vendin tonë, duke ngritur një kambanë alarmi.
“Ky studim duhet lexuar nga ekspertët e fushës të cilët duhet të ngrenë alarmin për regresin e arsimit shqiptar, që sot është në të njëjtat nivele të viteve 2000”, theksuan përfaqësuesit e Qëndresës Qytetare.
Ato gjithashtu kërkuan shkarkimin e elitës drejtuese të Ministrisë së Arsimit, të cilëve i atribuojnë përgjegjësitë kryesore për këtë degradim të nivelit të nxënësve.
“Nepotizmi, emërimet politike në sektorin e arsimit, korrupsioni në këmbim të notës dhe vendit të punës janë në themel të rrënimit të arsimit publik në vend”, u shprehën aktivistët./ BIRN