Departamenti amerikan i shtetit ka publikuar raportin mbi trafikun e qenieve njerëzore për vitin 2022, që përfshinë vlerësimet për rreth 190 vende të botës.
Raporti i ndan vendet në tre nivele. Në nivelin e parë përfshihen vendet dhe territoret qeveritë e të cilave veprojnë në pajtim të plotë me standardet minimale të kërkuara. Në nivelin e dytë hyjnë vendet dhe territoret, qeveritë e të cilave nuk përputhen plotësisht me standardet minimale, por që po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të arritur një gjë të tillë dhe ë nivelin e tretë futen vendet që nuk përputhen plotësisht me standardet minimale dhe nuk po bëjnë përpjekje për një gjë të tillë.
Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të renditen në nivelin e dytë.Në vendin tonë shqetësim mbetet dhe përfshirja e zyrtarëve në këtë aktivitet kriminal.
Qeveria e Shqipërisë, thuhet në raport, nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë një gjë të tillë. Ajo demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme raportuese, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë COVID-19 në kapacitetin e luftës së saj kundër trafikimit, prandaj Shqipëria mbeti në nivelin e dytë.
Raporti vë në pah se qeverisë i mungojnë edhe burimet për të trajtuar grupet e cenueshme dhe për kujdes afatgjatë, punësim dhe përpjekje të tjera riintegrimi për të mbijetuarit e trafikimit.
Policia e Shtetit, thuhet në raport, hetoi 61 raste me 27 të dyshuar (15 të dyshuar për trafikim të të rriturve dhe 12 të dyshuar për trafikim fëmijësh), krahasuar me 31 raste me 32 të dyshuar në vitin 2020.
Prokuroria e Përgjithshme ndoqi penalisht 60 çështje me 19 të pandehur (gjashtë të pandehur për trafikim të të rriturve dhe 13 të pandehur për trafikim fëmijësh), një rritje krahasuar me dy çështje me 12 të pandehur në vitin 2020. Ndarazi, SPAK-u ndoqi dy çështje të reja dhe vazhdoi dy çështje të viteve të mëparshme.
Gjykatat, vë re raporti, dënuan 11 trafikantë, një rritje e konsiderueshme krahasuar me asnjë dënim në vitin 2020. Të gjithë trafikantët u dënuan për trafikim të fëmijëve. Gjykatësit dënuan pesë trafikantë me nga tetë deri në 25 vjet heqje lirie dhe dy trafikantë me nga dy deri në tetë vjet. Katër trafikantë u dënuan me kusht.
Në raportin e këtij viti, i bëhet thirrje Shqipërisë që të punojë në hetimin e thellë, ndjekjen dhe dënimin e trafikantëve, përgatitjen e bartësve të sistemit të drejtësisë për trajtimin e trafikimit të njerëzve dhe shtimin e përpjekjeve për parandalimin e trafikimit, mbrojtjen e viktimave dhe riintegrimin e tyre.