Edi Rama kërkon të shpëtojë lëkurën e tij

0

Shkruan Agim Nesho

Biseda e Ramës me Zelenskin po shitet nga spin-doktorët e Ramës si një qëndrim parimor i një udhëheqësi të madh që nuk bën lëshime në parime. Këta përkrahës të përhershëm, që edhe retorikën e Ramës për kazan, kusi, timon apo tallava eksituese pa ide dhe vizion e kanë duartrokitur si një perfeksion të marrëdhënieve me publikun; kur lëvizjet e Ramës pro projekteve serbo-ruse të ndryshimit të kufijve i kanë quajtur si “mundësi të jashtëzakonshme për një komb që mund të vijnë një herë në 50 vjet”, kërkojnë të ngrenë vlerat munguara të një “burrështetasi” që nuk vepron me pragmatizëm apo me strategji të përcaktuar nga të tjerët në politikën e jashtme, por qëndron në moralin e cështjes dhe mbron vlerat e vërteta.

Por a është Rama një lider që mbron moralin në veprimet e tij dhe i bën “krenarë” njerëzit që i shërbejnë pa kushte?

Rama ishte i pari kryeministër në Shqipëri që shkatërroi konsesusin në politikën e jashtme Shqiptare për një linjë Euro-Atlantike të mirëpërcaktuar duke zgjedhur linjën prioritare me Erdoganin dhe kopjuar doktrinën e politikës së tij të jashtme “zero probleme me fqinjët”, si politikë zyrtare të Shqipërisë duke rrezikuar dhe vonuar integrimin Europian të vendit; Rama mbështeti rezolutën e vendeve islamike për Palestinën se ja kërkoi Erdogani, duke dalë jashtë linjave të ekuilibrave Europiano-Amerikane. Më vonë heshti për vuajtjet e palestinezëve në Rripin e Gazës, se i duhej ndihma e liderëve të Izraelit për të bërë lidhje me administratën Amerikane. Ai ishte i pari lider Shqiptar që shkeli Kushtetutën dhe la juridiksionin e tokave Shqiptare për tu bërë burgje të emigrantëve për kapital personal; Rama ishte i pari Shqiptar në kohët moderne që shiti interesat e Kosovës dhe u lidh me Vucic, duke justifikuar tezat nacionaliste serbe se “Veriu i Kosovës është tokë e askujt” dhe pranon në heshtje që Kosova është një konflikt i ngrirë që kërkon zgjidhje. Ai ishte i pari kryeministër Shqiptar që u përpoq ti mundësojë Serbisë rritjen e dominimit të saj në Ballkan nëpërmjet projektit famëkeq të Ballkanit të Hapur.

Pra, moraliteti për një amoral politik është vetëm justifikim për të mbuluar veprimet e tij. Etika dhe morali në politikën e jashtme nuk mund të përdoret si propagandë. Ajo nuk përdoret vetëm kur preken interesat e ngushta të individit.

Por pse Rama sot po shet kartën morale me Ukrainën? A nuk ishte ai njeriu që neglizhoi kërkesat e presidentit Zelenski për të mos hapur kufijtë për turistët rusë, se midis tyre do të vinë edhe vrasësit e fëmijëve në Ukrainë? A nuk ishte ai që nuk pranonte kërkesat ukrainase që anijet ruse me gaz dhe naftë të mos shkarkoheshin në portet Shqiptare? A nuk ishte Rama i vetmi lider në Europë që justifikoi Serbinë që nuk pranonte vënien e sanksioneve kundër Rusisë?

Përgjigja e pyetjeve është mëse e qartë. Rama sot shikohet nga administrata e re Amerikane si një njeri që ka shërbyer si kukull e Soros, që ka kapur shtetin dhe ka vënë drejtësinë në funksion të pushtetit të tij, arreston liderin e opozitës për të lënë vendin pa alternativë (fjala e zv. Presidentit Vance ne Munih).

Mosarritja pas shumë përpjekjeve për të blerë influencë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si me dhënien e tokave Shqiptare ashtu edhe për të gjetur McGonigalë të rinj, Rama ndjen se dimri i vetmisë së madhe ka ardhur për të. Prandaj, i pashpresë, ai po përpiqet të afrohet me europianët duke mbrojtur cështje parimore dhe të shprehë moralin e munguar, që për të ka qënë një shprehje pa kuptim në të shkuarën. Ai sot ka dalë hapur kundër inisiativave për paqe të presidentit Trump, për ta projektuar veten e tij si një viktimë e qëndrimeve morale dhe për të kërkuar shpëtim nga Europa, e cila më shumë se parimore dhe moraliste, kërkon të mbrojë të ardhmen e saj.

Tani që Ramës po i fiket qiriri, duhet ta kuptojë që njeriu që e ktheu Shqipërinë në platformë droge në Europë, që hapi derën e mafias dhe pastrimit të parave, që bashkëqeveris me krimin dhe mirëpret vizitat e Sinaloas, nuk mund të gjejë shpëtim nga mbrojtja morale e cështjeve. Morali ka kohë që ka vdekur me sundimin e tij amoral kundër Shqipërisë dhe kombit Shqiptar.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu