Gara për drejtimin e TKOBAP, kandidatët para një komisioni vlerësimi me shqiptarë e të huaj

0
Pallati i Kulturës

Ministria e Kulturës hapi më parë garën për drejtor të përgjithshëm në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, që do të përballë kandidatë të ndryshëm. Ministrja e Kulturës Elva Margariti dje bëri me dije se kandidatët do të jenë përballë një komisioni vlerësimi në ministri, që do të ketë anëtarë shqiptarë dhe të huaj.

“Nuk është një proces që e ndjek unë, ka juri, komision. Mendojmë që do të ishte e udhës të kishte një komision miks me shqiptarë dhe të huaj. Në 7 qershor kandidatë do të dalin para komisionit”, tha ministrja e Kulturës kur u pyet për këtë proces gjatë konferencës së shtypit për operën “Një ballo me maska”. Në emrat që kandidojnë  dhe e kanë konfirmuar këtë përveç drejtoreshës aktuale Zana Çela që rikandidon për këtë post, janë dhe tenori i njohur Josif Gjipali apo dhe Arben Skënderi menaxher artistik. Emra të tjerë që përmenden janë dhe Gëzim Xhaxhaj e Kleanthi Gjika. Por zyrtarisht nga Ministria e Kulturës nuk ka pasur një reagim për numrin dhe emrat e kandidatëve pjesëmarrës.

Ministria e Kulturës hapi garën për drejtuesin e ri të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor më 29 mars dhe afti i vendosur më parë për aplikimet e kandidatëve  ishte deri më 19 prill. Por më pas Ministria e Kulturës shkruante në faqen e saj se duke marrë shkas nga kërkesat e vazhdueshme për informacion, për të gjithë të interesuarit, afati i aplikimit për pozicionin drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shtyhej deri në datën 6 maj. Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë.

TKOBAP është institucioni i krijimit, prodhimit dhe interpretimit të repertorit më të mirë skenik gjithëpërfshirës, kombëtar e ndërkombëtar. Historia e TKOB fillon në vitin 1950-të, vit në të cilin u krijua Filarmonia shqiptare, ku bënin pjesë kori i shtetit, orkestra simfonike, këngëtarët lirikë, trupa e baletit, dirigjentët, regjisori dhe një grup i vogël administrativo-teknik.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu