5 milionë euro pasuri në pronësi të supergrabitësit Gentian Sharra, u sekuestrua sot nga Policia e Elbasanit, pasi dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal. Sharra është një prej bashkëpunëtorëve të Dumanit dhe u arrestua një muaj më parë, në operacionin “Plumbi i artë”.
Por në një kohë që Gent Sharra ishte në kërkim, para se të prangosej në Maj 2022, gruaja e tij fitonte tendera nga shteti shqiptar. Bëhet fjalë për shtetasen Olta Sharra e cila rezulton pronare e kompanisë që ka fituar një kontratë me Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan.
Shuma ishte 268,374,280 lekë dhe me objekt “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi (katering) për Sadik Dinçi” Elbasan dhe qendrat në varësi të tij”. Burimi i financimit është direkt nga Buxheti i Shtetit, ndërsa procedura e prokurimit është zhvilluar më datë 13.07.2020.
Emri i Gentian Sharrës u bë i njohur për drejtësinë dhe mediat në hetimet e grabitjes së Rinasit. Ai mori me qira asokohe servisin ku u modifikua furgoni që u përdor më pas për grabitjen në aeroport. Servis “Genti”, i cili ndodhet në rrugën e vjetër Elbasan-Rrethrrotulimi i Bradasheshit, aty ku dyshohet se u modifikua enkas për grabitjen furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.
Nga dosja e SPAK mësohet se Gentian Sharra është akuzuar si organizator dhë bashkëpunëtor i disa grabitjeve. Gentian Sharra cilësohet edhe si mik i ngushtë me Talo Çelën të cilët sëbashku akuzohen si autorë të disa ngjarjeve kriminale.