Qendra e Beogradit u paralizua këtë të Hënë, nga e ashtuquajtura bllokadë e studentëve, një grevë 24-orëshe në vazhdim të protestave kundër presidentit Aleksandër Vuçiç të nisura prej disa javësh. Protestuesit bllokuan bulevardet kryesorë në qendër të kryeqytetit dhe disa prej nyjeve hyrëse rrugore. Në mbështetje të tyre u erdhën edhe grupe fermerësh me traktorë nga mbarë Serbia.
Në fundjavë, një grup studentësh pushtuan edhe atë që konsiderohet edhe instituti më i vjetër i kulturës serbe, Matica Srpska i themeluar që në fillim të shekullit të 19.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç reagoi përmes rrjeteve sociale me një video-mesazh, ku tha se bllokimi i këtij instituti është sulm i ashpër ndaj institucioneve. Ai paralajmëroi protestuesit me pasoja të rënda dhe tha se brenda kësaj të Hëne do të njoftojë një sërë masash.
Protestat e studentëve, të mbështetura edhe nga parti të ndryshme opozitare pasojnë tragjedinë e Nëntorit në Novisad ku u shemb një pjesë e stacionit të saporikonstruktuar të trenit, që i mori jetën 15 personave. Manifestuesit akuzojnë Vuçiçin si përgjegjës për tragjedinë dhe për lidhje korruptive me ndërtuesit që kryen punime të dobëta në këtë projekt.