Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi në një dalje për mediat lëshoi akuza në drejtim të kryebashkiakut Erion Veliaj. Sipas Këlliçit, Prokuroria e Posaçme për Luftën Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka njoftuar zyrtarisht se ka nisur hetimet ndaj kreut të Bashkisë.
Këlliçi pohoi se nuk janë marrë masa ndaj Veliajt, duke theksuar se ky mund të ketë kohë për të manipuluar provat dhe për të siguruar azil politik.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë,
Ditët e fundit të vitit 2024, Prokuroria e Posaçme për Luftën Kundër Krimit dhe Korrupsionit, njoftoi zyrtarisht se kishte nën hetim kreun e 5D dhe pronarin faktik të inceneratorit Tiranë, Erion Veliajn. Prej pothuaj 2 vitesh, kam depozituar disa kallëzime të shoqëruara me mijëra faqe dokumente autentike dhe prova të pakontestueshme, të cilat faktojnë korrupsionin e Erion Veliajt me tenderat në Bashkinë Tiranë, inceneratorin fantazmë të Tiranës dhe kompaninë famoze 5D, të 5 drejtorëve të bashkisë.
Emisioni investigativ “Plug” në SYRI TV, faktoi katërcipërisht lidhjet okulte se si Erion Veliaj me paratë e George Soros ka influencuar dhe kapur institucionet e drejtësisë së re. Po në atë emision është faktuar se si OJF-ja BYLA, e cila në vitin 2002 themeloi lëvizjen Mjaft, merrte para publike nga Bashkia Tiranë në vitin 2023 dhe i kalonte ato për llogari të familjarëve të Erion Veliajt.
I rikthehemi edhe njëherë deklaratës zyrtare të SPAK të cilën e shihni në ekran.
Citoj: Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin, se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, por edhe për veprat penale si: korrupsion aktiv, pastrim parash dhe fshehje e të ardhurave.
Të nderuar qytetarë,
Kolegët e Erionit në SPAK, njoftojnë qytetarët shqiptarë se kanë dalë tashmë në konkluzion se kreu i 5D, Erion Veliaj, ka kryer 4 vepra penale, por kolegët e tij sigurisht nuk marrin masë ndaj Veliajt, por e lënë atë të lirë në mënyrë që të shkatërrojë dhe manipulojë provat, e mbi të gjitha po i lënë kohë të mjaftueshme që ai të sigurojë azilin politik, me justifikim se Nesti Rama po e linçon, për shkak se ky ishte pasardhësi i dizenjuar i liderit global dhe mikut të ngushtë të Charles McGonigal, Edi Rama.
Kjo është prova e radhës që i fakton shqiptarëve që kjo është një drejtësi me regji. Ndaj gjej rastin sërish të ftoj qytetarët e Tiranës t’i bashkohen thirrjes së PD për të protestuar para selisë së 5D dhe inceneratorit Tiranë, që sot formalisht duhet bashkia Tiranë, ditën e premte, datë 10 janar, ora 11:00.
Bashkë do ia dalim.
Ju faleminderit.