Ish-kryeministri Berisha ka deklaruar se Edi Rama është i terrorizuar, pas arrestimit të Veliajt. Ndërsa reagimin e kreut të qeverisë ditën e sotme, Berisha e sheh si hall personal të tij.
“Edi Rama pas arrestimit të numrit 2 të PS-së bëri gjithçka nga njëra anë i terrorizuar dhe i trembur gjer në palcë nga Erion Veliaj që të tregojë se nuk ka gisht në këtë aferë. Këtu do ndalemi pak. Nuk kishte hallin e Erion Velisë, kishte hallin e tij, sepse ky prokuror që guxoi të kërkojë arrestimin e Erion Velisë dhe ky gjykatës që vendosi për arrestimin e tij, këta litarin në shtëpinë e të varurit ia çuan në Surrel. Po, sepse për leje ndërtimi Edi Rama me favore i ka tërkuzë”, tha Berisha.
Ai u shpreh se Rama nuk është i denjë për postin e kryeministrit dhe duhet të japë dorëheqjen. Berisha shton se pas kësaj situate, në çdo vend të botës kryeministri mban përgjegjësi dhe do të largohej nga posti.
“Në çdo vend të botës para kësaj situate një njeri që ka minimumin e përgjegjshmërisë jep menjëherë dorëheqjen. Një popull i tërë ngrihet në këmbë për ta përzënë nga zyra një hajdut, një padrino si ky. Le ti bjerë sa të dojë tavolinave, ai është i padenjë për asnjë detyrë shtetërore përveçse aty ku ka përgjegjësitë e tij. Erion Veliaj ishte një hajdut, por abuzime shumë më të mëdha janë të Edi Ramës. Grabitja e portit të Durrësit shkon rreth 4 miliardë Euro që po e ndërton ky me Alabarin e tij”, u shpreh Berisha.