Zbardhen detaje nga akuzat që SPAK ka ngritur ndaj deputetes Klotilda Bushka. SPAK e akuzonte atë për pengim të hetimeve, teksa në dosjen e SPAK del se Bushka ka pasur kontakte me dëshmitarët e thirrur për rastin “Veliaj”.
“Akoma më e rëndë paraqitet situata kur bëhet fjalë për shtetasen Ina Goxhaj, e cila është treguar mjaft e qartë në lidhje me takimet e zhvilluara para se të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme, çfarë e ka orientuar shtetasja Ajola Xoxa dhe Klotilda Bushka, si edhe faktin që ka takuar shtetasen Ajola Xoxa dhe Klotilda Bushka pasi ka dalë nga Prokuroria e Posaçme, sipas orarit të lënë nga këto të fundit. Ky takim është dokumentuar nga grupet e vëzhgimit të hetuesve të BKH-së”, lexohet në dosje.
Më tej, SPAK pretendon se celulari i shtetases Ina Goxhaj “është asgjësuar me ndihmën e shtetases Klotilda Bushka”.
“Për më tepër, nisur nga deklarimet e shtetases Ina Goxhaj, kësaj të fundit i është kërkuar telefoni, i cili në fakt i është marrë, për t’iu zëvendësuar me një tjetër nga shtetasja Ajola Xoxa. Po ashtu, sipas të njëjtave deklarime, të cilat do të jenë objekt hetimi përgjatë hetimit paraprak, ka dyshime se aparati telefonik celular i kësaj shtetase është asgjësuar me ndihmën e shtetases Klotilda Bushka, në shtëpinë e prindërve të kësaj të fundit”, thuhet në dosje.