Sipas të dhënave më të fundit nga KQZ, janë numëruar 92 252 zarfa nga diaspora nga gjithsej 194 889, që përfaqëson 47.1% të totalit. PS ruan epërsinë e thellë edhe me votuesit jashtë, pasi deri më tani ka marrë 49 465 vota, që përfaqësojnë 54.09% të votave të numëruara.
Në vendin e dytë është Koalicioni PD-ASHM me 25 990 vota ose 28.42%, ndërsa në vend të tretë qëndron Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 7 740 vota, që përbëjnë 8.46%.
Subjektet më të vogla vijojnë të mbledhin një numër modest votash, pa treguar shenja rritjeje. Partia Mundësia ka arritur të sigurojë 3 221 vota ose 3.52% ndërsa Lëvizja Bashkë ka marrë 2 376 vota, që përbëjnë 2.60%. Partia Socialdemokrate ka fituar 1,076 vota (1.18%), ndërsa partitë e tjera, si Koalicioni Euroatlantik, Aleanca Kombëtare Shqiptare, Lëvizja Atdheu, Djathtas për Zhvillim dhe Aleanca Demokracia e Re, kanë mbetur nën pragun e 1%.
Diferenca mes PS dhe PD është e konsiderueshme, por procesi i numërimit është ende në vijim dhe këto rezultate mund të kenë një ndikim edhe në ndarjen e mandateve në disa qarqe. 4 janë qarqet ku gara mbetet matematikisht e hapur teksa mbeten për t’u numëruar edhe një pjesë e madhe e votave të diasporës.
Në Qarkun e Tiranës, në luftë për një mandat duket se do të jetë deri në fund PD-ASHM dhe Partia Mundësia e Agron Shehajt. Mundësia e mbron mandatin e dytë në Tiranë me disa dhjetëra vota, mandat i cili rrezikon të bëhet i 14 i PD-së. Rezultat që mund të ndryshojë është edhe në Fier, ku Partia Socialiste po e mbron mandatin e 9-të me rreth 500 vota diferencë, por që po ngushtohet nga Nisma Shqipëria Bëhet, që ka një përqindje shumë të mirë të votave në diasporë.
Diferenca po ngushtohet edhe në Lezhë mes Partisë Socialiste dhe PD-ASHM, ku aktualisht është rreth 1250 vota para opozita, por mbeten edhe 5000 vota për t’u numëruar. Edhe në Vlorë mund të ketë një shans ndryshime, edhe pse i vakët. PD mund të rimarrë mandatin e 4 në këtë qark, të nëntin e PS-së por duke parë trendin duket e vështirë. XH.D.