(Shënime udhëtimi nga Napoli)
Shkruan Ndue Lazri
Më ka rastisur ta vizitoj disa herë Napolin. Por këtë radhë më nxitën të rikthehem dy faktorë: fakti që isha me Mozën, që e shihte për herë të parë këtë qytet, ashtu si dhe dy miqtë tanë, Rexhep e Emine Hoti, si dhe fakti që CNN në një listë të hartuar për këtë vit e vinte qytetin e Napolit si një ndër pikat më tërheqëse turistike për vitin 2022. Madje ishte i vetmi qytet italian në këtë listë.

Mirëpo pritshmëria ishte tjetër gjë dhe realiteti krejt tjetër. Sepse nuk e kisha parë asnjëherë Napolin më të degraduar e më të pistë se këtë herë. Ndoshta pandemia e gjatë, kriza e lodhshme ekonomike e shumë viteve dhe ajo e fundit e luftës në Ukrainë e kanë ulur aq shumë mundësinë ekonomike të këtij qyteti, sa ai duket diçka e zymtë, pa shkëlqimin e vet edhe nën një diell përvëlues që i ngre temperaturat deri në 42 gradë.
Tek shikoj zhgënjimin në sytë e Mozës e të miqve të mi, mendoj me vete: Si ka mundësi që ky qytet me një histori 2800 vjeçare, me një popullsi rreth një milion banorë, me 30 lagje dhe 10 bashki, nuk ka një organizim efektiv për ta mbajtur atë pastër e në
lartësinë e kërkesave të turistëve?



Për ta ulur disi përshtypjen e parë, i ftoj miqtë të shkojmë të pimë një kafe tek Grand Caffe Gambrinus, që është pa dyshim një nga ekselencat e Napolit dhe nga kafetë më të bukura të Italisë. E ndodhur në anë të sheshit të Plebishitit, sheshit qendror të Napolit, kjo kafene është një pikë e veçantë tërheqëse. E hapur në vitin 1860 si një kafene për takime letrarësh e intelektualësh, ajo u bë dalëngadalë një vend i frekuentuar nga elita e qytetit. Aty bëhen edhe sot takime letrare e hapen ekspozita artistike. Lokali me luksin dhe elegancën e tij, me prodhimet e veçanta e cilësore dhe me nivelin e shërbimit nuk zhgënjen asnjëherë. Këtu vijnë gjithnjë për një kafe presidentët e republikës italiane sa herë që vijnë për vizitë në qytet.




Këtu ka ardhur për vizitë edhe perandoresha austriake Sisi (ku nuk i gjej gjurmët e kësaj perandoreshe, që duket se i ka patur shumë për zemër shetitjet turistike e njohjen e botës). Gjatë vizitës në këtë bar ajo zgjodhi edhe shijet e saj të veçanta për prodhimin e një akulloreje me emrin Violeta, që njihet edhe si akullorja e Sisit. Me ngjyrë violetë e me një shije të mrekullueshme ajo le të kuptojë se edhe tekat e bukuroshes që vinte nga Austria kishin nivele perandorake. Moza dhe Mina porositin këtë akullore, kurse unë e Rexhepi cafe-baba, që është një përzierje e kafesë napoletane me ëmbëlsirën e këtij qyteti me emrin baba që në vend të shurupit zhytet në rum.
Pas frekuentimit të kësaj kafeneje, që i ka ëmbëlsuar disi edhe përshtypjet tona, dalim në Sheshin e Plebishitit, një shesh i madh, ku zhvillohen evenimentet më të rëndësishme të qytetit. Ky shesh, që ka në një anë Kishën e Shën Franceskos së Paulës, e cila bashkë me kolonatat është një imitim i bazilikës së San Pietros në Romë, ndërsa përballë ka ish pallatin mbretëror të mbretërisë së Napolit, ka ndërruar disa herë emër. Në fillim emri i tij lidhej me kishën, pastaj me pallatin.



Vetëm në vitin 1860 mori emrin Sheshi i Plebishitit, sepse në sajë të këtij plebishiti mbretëria e dy Siçilive iu bashkua mbretërisë së Italisë. Në qendër të sheshit janë dy monumente kalorësish në kalë. Njëri është i mbretit Carli III Borbone dhe tjetra e birit të tij Ferdinandi I, edhe ai mbret i Napolit. Të dy monumentet janë vepër e skulptorit të njohur Antonio Canova.


Nga ky shesh Xhuzepe Garibaldi, ai që bëri bashkimin e Italisë, i foli popullit napoletan. Po në këtë shesh u bë edhe ceremonia funerale e njërit nga bijtë më të shquar të Napolit, që aq shumë i ka dhënë këngës e kulturës napoletane, Pino Daniele.
Pas kësaj i dërgoj miqtë e mi në kodrën e lagjes panoramike Posillipo, prej ku pamja e qytetit,sidomos ajo e pjesës buzë detit me Vesuvin në sfond, është në çdo kohë një mrekulli. I shikoj ata të çelen, të kënaqen me pamjen dhe të bëjnë fotografi të panumërta.


Gjiri i Napolit hapet përpara syve si një guackë e bukur që kërkon të nxjerrë në pah perlat e saj. Përballë Capri me Sorrenton, që i kemi vizituar, më tej ishulli i Iskias dhe prapa supeve tona Pozzuoli, vendlindja e artistes së madhe Sofia Loren. Diku afër detit është edhe villa rezidencë e presidentëve italianë, kur vijnë këtu me pushime.

Prej asaj lagjeje të mbushur me vila të bukura, të cilat, të rrethuara me mure e me blerim të dendur agrumesh, zhyten në misterin e tyre, zbresim rrugës buzë detit dhe ndalemi në një shesh ku është skulptura e sirenës Partenope, e cila i ka dhënë edhe emrin e origjinës këtij qyteti. Rreth kësaj sirene ka disa legjenda. Më e njohura është ajo që e përmend Homeri tek vepra e tij Odisea.


Sipas kësaj legjende ishte sirena Partenope (nga greqishtja sembiancat e virgjëreshës) me dy motrat e saj që tentuan ta tërhiqnin Uliksin me këngën e tyre. E meqenëse nuk ia dolën,ato vranë veten dhe përfunduan në ujrat e detit.



Gjithësesi qyteti është krijuar nga ngulime greke rë ardhura nga ishulli i Rodit, të cilat u vendosën në fillim në ishullin e Iskias e pastaj u spostuan deri aty ku në fillim ndërtuan Paleopolis (qytetin e vjetër) e pastaj Neopolis (qytetin e ri).

Turistët e shumtë mbushin rrugët e qendrës historike të Napolit, që është një nga qendrat historike më të mëdha në Europë, që është shpallur pronë e UNESCO-s. Ata njihen me gjërat më tërheqëse që ka ky qytet, kaotik në lëvizjet e tij, por gjithësesi ka atë sharm që nuk i zbehet lehtë. Qyteti i 500 kishave dhe 500 kupolave të bukura, qyteti i këngëve tërheqëse napoletane dhe i një gjuhe të veçantë që është pronë jo materiale e UNESCO-s, qyteti i një kështjelle në det e i një tjetre në majë të kodrës përmbi, ka plot ç’të shpalosë. Ai ka dy prodhimet e vetme italiane që janë pronë europiane STG, që do të thotë artikuj tradicionalë të lidhur me kuturën.


Këto janë pizza Margerita (krijuar nga pizzaioli Raffaele Esposito për nder të mbretëreshës Margerita të Napolit) dhe mozzarela, që lidhet pazgjidhshmërisht me pizzën.

Napoli bëri mit emrin e njërit nga futbollistët më të mëdhenj të botës, Armando Diego Maradona. Ai i dha shumë Napolit në fushën e futbollit e u bë një legjendë, gati një perëndi. Aq sa kur vdiq Maradona, stadiumit të qytetit i hoqën emrin e një perëndie, atë të Shën Palit dhe i vunë emrin e një hyu të ri të adhuruar prej tyre, Shën Maradona.


Qyteti shtrihet tej bregut të detit, deri tek Ercolano e Pompei me gërmadhat e tyre të shkaktuara nga vullkani e që përbëjnë një tërheqje të jashtëzakonshme turistike gjatë gjithë vitit.


Napoli është një qytet kompleks, esencën e të cilit mendoj se e sjell aq bukur Pino Daniele në këngën e tij “Napoli është..”, në tesktin e së cilës thuhet:
Napoli është njëmijë ngjyra,
Napoli është njëmijë frika,
Napoli është zëri i fëmijëve
e ti e di që nuk je vetëm.
Napoli është një diell i hidhur,
Napoli është aroma e detit,
Napoli është një letër e ndotur,
që askush s’i jep rëndësi
dhe secili kërkon fatin.
Napoli është të shetisësh
nëpër rrugë mes të tjerëve,
Napoli është një ëndërr,
që e njeh gjithë bota,
por nuk di tëvërtetën.
Në pallatin mbretëror të Casertës


Me emrin e mbretërve të Napolit ngrihet edhe pallati mbretëror i Casertës, ose siç quhet sot Reggia di Caserta. Ndërtimi i residencës së mbretërve francezë në Versajë rreth 25 kilometra larg kryeqytetit, Parisit, me sa duket u bë modë e filloi të imitohej edhe nga kurora të tjera mbretërore nëpër Europë. Një nga këto imitime ishte edhe kjo rezidencë e mbretërve napolitanë, që filloi ndërtimin me kërkesën e mbretit Carlo III i Borbonëve, në një fshat të panjohur në atë kohë, në Caserta, rrreth 25 kilometra larg nga Napoli.


Idea ishte të bëhej diçka madhështore si Versaja, por ta shikosh në realitet, është larg Versajës jo vetëm në aspektin gjeografik, por edhe në realizimin praktik të saj.

Carlo III Borbone, që ishte një mbret i cili i dha shkëlqim e prosperitet Napolit, thirri në realizim të idesë së tij, një arkitekt të talentuar, me fantazi e reputacion, Luigi Vanvitelli, që kishte punuar edhe për papët e Romës e në zona të tjera të Italisë, duke realizuar vepra prestigjioze.
Ndërtimi i saj filloi në vitin 1752 në praninë e mbretit dhe të oborrit mbretëror dhe arkitekti Vanvitelli vurin personalisht gurin e parë. Ishin punime që do të vazhdonin me ndërprerje të herëpashershme për gati 93 vjet. Mbreti Carlo III, vetëm pas 7 vjetësh të fillimt të ndërtimeve u detyrua ta linte fronin e Napolit për të zënë atë të Spanjës. Vazhdimin e punimeve e ndoqi djali i tij, Ferdinandi IV, që zuri fronin mbretëror. Ai ishte i martuar me mbretëreshën Maria Carolina, bijë e Asburgëve të Austrisë, motër e mbretëreshës Maria Antuaneta të Francës.


Mes saj dhe të shoqit nuk pati asnjëherë një klimë të paqtë bashkëshortore, pasi ai ishte i dhënë pas gjahut e qejfeve, kurse ajo ishte më aristokrate e më kërkuese në çuarjen përpara të fronit të Napolit.

Sidoqoftë ndërtimi i rezidencës mbretërore shkoi gjithnjë përpara, edhe pas vdekjes së arkitektit. Projekti, u realizua jo i plotë, sipas parashikimit, për shkak të vështirësive financiare.
Pavarësisht nga kjo, vizitorët e sotëm kanë mundësi ta vizitojnë këtë residencë, disi të lënë pas dore. Na bën përshtypje sidomos kopshti që ndan rezidencën me stacionin e sotëm të trenave.


I lënë në mëshirë të fatit, pa ujitje e me pisllëqe në konturet e asaj që duket se dikur ka qenë një lulishte. Ndërtesa nuk ka shkëlqim të jashtëm, ndonëse është imponuese me konturet e saj shumë të mëdha, por shumë larg Versajës së Francës, Shonbrunit të Vienës e shumë rezidencave të tilla nëpër Europë. Me 6 kate lartësi, përveç katit të nëndheshëm, me gjatësi 253 metra të fasadës kryesore dhe 202 metra të fasadës anësore, ajo ka 1200 dhoma. Disa nga sallat e saj kryesore janë të vizitueshme nga turistët.


Më i mirëmbajtur është parku përpara saj me ujvarat e me shatrivanet e ndërtuar mbi tema e figura mitologjike, si dhe kopshti anglez. Ato na ftojnë të kalojmë një ditë të bukur në freskinë e ujrave dhe të gjelbërimit të dendur, të bëjmë foto tek vaskat e kaskatat, tek banjoja e Venerës ku perëndesha e bukurisë paraqitet në një skulpturë ku duket se sapo ka dalë nga uji dhe pret të thahet mbi një shkëmb e tek pika të tjera që tërheqin syrin tonë dhe objektivin e makinave fotografike.
Kalon një ditë tjetër mes bukurive të gjirit të Napolit, për të vazhduar në ditët e ardhshme me Costierën e famshme Amalfitane.
Promoted Content