Shkruan Ilir Vata
Demokratët në protestë kërkojnë dorëheqjen e Berishës. Socialistët kërkojnë dorëheqjen e Ramës.
Berisha kërkon dorëheqjen e Ramës, ndërsa ky i fundit nuk e ka përmendur pothuajse asnjëherë. Ramës i duhet Berisha si relike e së shkuarës.
Analistë, madje edhe më të vjetër në moshë se Rama, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit me argumentin se është i vjetër. Pronarët e mediave, prej 35 vitesh duke bërë pazare, nuk reshtin së kërkuari dorëheqjen e Ramës, por Berisha nuk u duket i vjetër.
“Flamingot” kërkojnë dorëheqje dhe burg, madje me sloganin “Shqipëria e Re”, si komunistët në vitin 1946.
Mos vallë pas “flamingove” fshihet qoftëlargu i së shkuarës, që u tund të rinjve flamurin me ngjyrë të kuqe, siç i tundet demit pëlhura në arenë?
Prandaj protesta duhet të kërkojë ndryshime ligjore dhe institucionale, jo të shndërrohet në një forcë politike. Berisha ka partinë e tij, të zgjedhur nga demokratët. Rama po ashtu, madje qeveris me një mazhorancë të dukshme.
Prandaj mendoj se protesta ka dështuar, sepse ushqehet nga gjerizi i politikës së vjetër, të cilit i janë shtuar edhe të tjerë rrugës.
Ndjesë për protestuesit fantastikë, që sollën protestat më të bukura në më shumë se tri dekada. Por drejtuesit i keni nga e shkuara, nga mentaliteti i komunizmit, mjerisht. Pastroni drejtimin, nëse vërtet doni ndryshimin.







