Në një atmosferë festive, qyteti bregdetar i Vlorës ka çelur zyrtarisht sezonin turistik për vitin 2024. Pedonalja e qytetit u mbush plot me vizitorë e turistë, të cilët vizituan stendat e panairit të kulinarisë me produkte tradicionale.
Nën tingujt e muzikës koncerti i madh festiv me një repertor të pasur nga polifonia e jugut, u shoqëruar edhe me valle e kënga qytetare vlonjate.
Kryetari i bashkisë Ermal Dredha duke uruar për një sezon të mbarë turistik, theksoi se synimi kryesor është që Vlora të jetë destinacioni kryesor i turizmit në vend.
“Nëse e fillojmë sot me një festë si kjo për të çelur zyrtarisht sezonin turistik veror, po ju them se vitin tjetër do të jetë akoma më e madhe”, tha Dredha.
Për kreun e Operatorëve Turistik, Vasil Bedinaj, sfidë mbetet shtimi i kapaciteteve akomoduese, kjo pasi me ndërtimin e aeroportit Vlora pritet të ketë një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.
“Rritja e cilësisë në shërbim dhe në infrastrukturë lokale bën që të rritet kërkesa nga turistët për të zgjedhur si destinacion qytetin e Vlorës”, tha Bedinaj.
Një javë aktivitete kulturore artistike, por edhe sportive shoqërojnë çeljen e këtij sezoni, ndërsa ky vit e gjen Vlorën si qyteti Europian i Sportit.