Zbardhet mbledhja me dyer të mbyllura, opozita kusht Ramës: Qeveri teknike nëse do votën për super-komisionin “Xhafaj”

0

Seanca e sotme plenare në Kuvend pritet të ketë debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës sa i takon projektvendimit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion.

Projektvendimi për ngritjen e Komisionit është futur në rendin e ditës, por opozita është skeptike sa i takon kësaj pike.

Grupi i Rithemelimit deklaroi një ditë më parë se nuk do e mbështesin me votë ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, pasi nuk dinë objektin dhe se sipas tyre është thjesht një propagandë e kryeministrit Rama.

Me gatishmërinë e mazhorancës për ta shtyrë votimin nëse opozita kërkon kohë, kjo e fundit i mbylli dyert e bashkëpunimit, dhe përmes Gazment Bardhit ende pa u njohur me projekt-vendimin deklaroi se do ta bojkotojë.

“Nuk kanë vullnet, por duan ta përdorin për propagandë. Pjesë e propagandës së Ramës nuk bëhemi”, tha Bardhi.

Edhe PD e Bashës nuk ka mbajtur një qëndrim nëse do ta votojë apo jo, duke thënë se fillimisht kryeministri Rama do duhet të japë qëllimin e vërtetë të këtij komisioni.

Dhurata Çupi është shprehur në mënyrë kategorike kundër bojkotimit të këtij komisioni, qëndrim të cilin ajo e kishte konfirmuar edhe për gazetarët pak minuta përpara se të zhvillohej mbledhja.

Nga ana tjetër nënkryetari demokrat i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka hedhur idenë që opozita të mos e refuzojë Komisionin, por të dalë me një kundërpropozim në mbledhjen e së enjtes.

Idenë e Gjekmarkajt e ka mbështetur fillimisht Luan Baçi që ka thënë se opozita duhet ta kushtëzojë pjesëmarrjen në komision me formimin e një qeverie teknike. Të të njëjtit mendim kanë qenë edhe Flamur Noka dhe Edi Paloka.

Në kushtet e këtij konfuzioni që ekziston në radhët e opozitës, maxhoranca ka dhënë sinjale se mund ta heqë nga rendi i ditës votimin e pikës për ngritjen e komisionit “Xhafaj”, me qëllim për t’i dhënë më shumë kohë pakicës të dalë me një qëndrim.

Komisioni i Posaçëm anti-korrupsion do të ketë 11 anëtarë, me një afat fillestar 10 mujor dhe sipas projektvendimit të publikuar një ditë para votimit në seancë plenare, anëtarët do të jenë kryetarët dhe zv kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian ndërsa kryetari i këtij komisioni pritet të jetë Fatmir Xhafaj.

“Me qëllim ruajtjen konform rregullores të raportit shumicë – pakicë, shfrytëzimin efektiv të përvojës së krijuar qysh në fillesat e Reformës në Drejtësi, si dhe sigurimin e vazhdimësisë së punës e të produkteve të këtij procesi përtej legjislaturës aktuale dhe përgjatë harkut të negociatave me Bashkimin Evropian, komisioni si rregull do të përbëhet nga Kryetarë dhe Zëvendëskryetarë të Komisioneve të Përhershme: për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (2); për Ekonominë dhe Financat (2); për Çështjet Evropiane (2); për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik (2); dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (2).Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit”, thuhet në projektvendim.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu