Më shqetësuese se sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas vendimit për ta përjashtuar Kosovën nga stërvitja ushtarake “Europe Defender 2023”, sipas kryeministrit Albin Kurti është “milicia fashiste në veri”.
“Është shqetësuese (çështja e sanksioneve), është brengosëse, por më shqetësuese dhe më brengosëse janë milicia fashiste në veri. Shpeshherë në politikat qeveritare, në vendimet ekzekutive nuk ke opsione ideale, e shpeshherë as optimale. Pra, vendimet, opsionet ideale janë luks e nganjëherë madje edhe optimale”, – ka thënë Kurti.
Kurti ka deklaruar se beson që ka bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme duke arsyetuar se aleatët u dëgjuan kur u vendos për t’i shtyrë zgjedhjet e madje edhe për çështjen e betimit të kryetarëve. Ai ka folur edhe për kritikat direkte e të ashpra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që këmbëngulin se kryetarët e rinj të komunave në veri nuk duhet të ushtrojnë detyrën nga zyrtar e tyre.
Por Kurti thotë se “nuk është normale që të pajtohesh çdo herë me gjithçka” ndërsa nënvizon se nuk ka vepruar “pas shpinës së ambasadorit”. Kurti ka thënë se ka vlerësimin më të lartë për ambasadorin Hovenier, por vendimet ia ka diktuar kushtetuta dhe ligji.
“Ata e kanë gjithnjë e më të qartë dhe unë do t’i bind më kollaj nëse më ndihmoni më shumë (për sjelljet e Serbisë). Por, edhe nëse nuk më ndihmoni, bindja do të ndodhë, sepse Republika e Kosovës është ndërtuar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve. Në anën tjetër Republikën e mban Kushtetuta me ligj dhe institucione. Këtij populli unë duhet t’i dal zot, sepse për këtë më kanë sjellë në këtë karrige.
Unë kam vlerësimin dhe respektin më të lartë për ambasadorin Hovenier, mund të them në mënyrë fort të veçantë krahasuar edhe me të gjithë ambasadorët e tjerë, por mua më ka votuar populli, nuk më ka emëruar ambasadori.
Duhet ta kuptoni këtë gjë, mua më ka votuar populli i Kosovës, populli i Kosovës të voton, populli edhe të heqë. Nuk është emërim kryeministri, kryeministri është zgjedhje e atij që është burim i sovranitetit”, – ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se ka bashkëpunim të vazhdueshëm me ambasadorët e QUINT-it e sidomos me atë të SHBA-së.











