Pse njerëzit e Foltores po krahasojnë Bill Clinton me Safet Gjicin?

0

Shkruan  Ylli Pata

“Humori i hollë” me talljet thuajse të njëkohshme ndaj Bill Clinton-it këto ditë, nga një grup njerëzish që janë përgjithëisht të identifikueshëm në qëndrimet e tyre, duket së largmi si pa kuptim.

Pse duhet të sulmohet Bill Clinton nga një “Ushtri digjitale” që del e duket në rrjet sa herë ka një tip fermani pa firmë e vulë, por me një sinjal elektronik.

Natyrisht që mënyra e sulmit është thuajse uniforme; krahasimi i Safetit Gjicit me presidentin e SHBA-së, i cili siç dihet është akuzuar se ka pasur një histori seksuale kur ishte në Shtëpinë e Bardhë.

Që të ketë njerëz që kanë mendimet e tyre, është krejt normale, si dyzina e të çakërdisurve që thirren mëngjes për mëngjes e darkë për darkë në televizione, ku thonë pa pikë sikleti se ilirët janë alienë e Troja është në Manati të Lezhës.

E në këtë rast, sulmi ndaj Bill Clinton nuk ka ardhur nga kjo ushtri mitomanësh që shtohen përditë si fara e hidhrës, por nga një armatë që së paku vitet e fundit është e identifikueshme.

Që përkrahin Sali Berishën, sidomos kur Doktori u ndëshkua keqas nga SHBA. Po pse e sulmojnë Billin e shkretë, i cili është moshatar me Berishën?

Ai e ka lënë politikën prej kohësh tashmë, së bashku me gruan e tij Hillary, megjithëse influenca e tij është mjaft e madhe në Partinë Demokratike amerikane.

Administratat e Barack Obama-s dhe Joe Biden, kanë pasur pjesën më të rëndësishme të kabineteve të tyre me njerëzit e besuar dhe të përzgjedhur nga Bill Clinton.

I cili është jo vetëm një figurë politike në SHBA, por një personazh që ka peshën e tij të rëndësishme edhe në politikën europiane. Së bashku me Tony Blair, ata kanë krijuar “Rrugën e Tretë” politike, një lloj qendër e majtë që është më afër botës së biznesit dhe më larg ekstremizmave.

Megjithatë, Clinton prej kohësh nuk është fare aktiv në politikën e brendshme amerikane, me fondacionin e tij mjaft influent është zhvendsur kryesisht në beteja sociale kundër varfërisë e arsimimit të barabartë për të gjithë. Kryesisht në vende të varfra si Afrika etj.

Por ardhja e Bill Clinton në Tiranë është një eveniment shumë i rëndësishëm. Ai është presidenti që ka më shumë mbështetës ndër shqiptarë, për shkak të çlirimit të Kosovës. Është i vetmi person, për të cilin ka emra që mbajnë emrin e mbiemrin e tij, pra Billklinton Berisha përshembull.

Por Clinton është edhe presidenti që Sali Berishën e njeh shumë më mirë se të tjerët, pasi e ka njohur në zenithin e pushtetit të tij në Tiranë. Ka qenë Clinton që e ka pritur në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1994, e ka qenë po ai që e ka ndëshkuar i pari.

Natyrisht me disa faza, në fillim i dërgoi George Bush të vjetrin e Colin Powell në Vlorë në vitin 1997 për ta paralajmëruar, e më në fund e fundosi politikisht.

Bill Clinton e ka takuar Sali Berishën edhe më vonë kur ky i fundit ishte kryeministër, në margjinat e OKB-së. Kur Fondacioni Clinton ishte aktiv me konferencat e tij. E këtë Berisha e arriti sepse loboi tek Podesta, një grup i afërt me Clinton. Por në atë kohë nuk ishte fare në pushtet.

Kur ishte në Shtëpinë e Bardhë, Bill Clinton ka qenë një nga presidentët që ka ndërmarrë vendime më shumë për shqiptarët se kushdo president.

Përveçc Rambujesë, bombardimit të Serbisë, çlirimit të Kosovës, Clinton ka formuar grupin “Miqtë e Shqipërisë” në vitin 1997, ka formuar “Fondin Amerikano-Shqiptar”, ka lehtësuar procedurat për dhënien e vizave etj etj.

Disa nga lëvizjet për Shqipërinë e Kosovën, kanë brenda mjaft mendimin intelektual të vetë Bill Clintonit, gjë që e kanë treguar më pas edhe miqtë e afërt të tij si Madlene Allbright, Strobe Talbot, Richard Hoolbruke etj etj.

Bill Clinton nuk ka takuar vetëm Sali Berishën nga Shqipëria, por edhe Pandeli Majkon, Rexhep Meidanin, Paskal Milon, Edi Ramën. E ndryshe nga disa president amerikanë, Clinton ka takuar e takon shumë shqiptare, si në SHBA, e gjithashtu në vendet ku udhëton.

Ai është tashmë ndoshta edhe më i informuar se Yuri Kim apo ambasadorët e tjerë të SHBA në Tiranë për Shqipërinë e shqiptarët në të gjithë rajonin.

E gjasat janë që në këtë vizitë të tij, ai të flasë edhe për politikë. E kjo i djeg shumë Berishës, pasi non grata e tij, është pjekur mjaft edhe në dy mandatet e Bill Clinton…

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu