Duke folur për incidentin kur kryetari i KZAZ-së u godit nga një vëzhgues i kandidatit të PS-së, Orlando Rakipi, në KZAZ-në e Kasharit, gazetari Arion Sulo tha në emisionin “NOW” me Erla Mehillin se, sipas burimeve të konfirmuara, është sekuestruar një çantë me 10 deri në 20 mijë euro pranë kësaj KZAZ-je.
“Nga lajmet e konfirmuara, është sekuestruar një çantë me 10 deri në 20 mijë euro. Nuk bëhet e ditur ende identiteti i personit që ka makinën ku u gjet çanta, është ende i pazbuluar. Kjo ndodh, pasi ka një garë dhe tentohet që të joshen komisionerët”, tha Sulo.
Kujtojmë se në orët e mesditës të së enjtes, një nga vëzhguesit e kandidatit socialist Orlando Rakipi ka goditur kryetarin e KZAZ-së në Kashar për shkak të një debati lidhur me kontestimin e një vote të Partisë Socialiste.
Gjatë emisionit “NOW me Erla Mëhillin”, u publikuan të dhënat më të fundit lidhur me mandatet e deputetëve nga lista e hapur. Moderatorja Erla Mëhilli njoftoi lajmin e fundit, duke thënë se Xhemal Qefalia ka siguruar mandatin, duke qenë përpara Orlando Rakipit me rreth 500 vota.
Sipas saj, është e vështirë që Rakipi të rikuperojë këtë diferencë, duke lënë të kuptohet se ai do të mbetet jashtë parlamentit.
Mehilli theksoi se Rakipi nuk arriti të sigurojë mandat për shkak të kuotës gjinore, pasi Anila Denaj dhe Blerina Gjylameti, të cilat futen para tij, përfitojnë për shkak të kësaj kuote.
“Mandatin e merr Xhemal Qefalia, i cili është përpara Orlando Rakipit me rreth 500 vota, dhe është e vështirë që Rakipi të rikuperojë këtë diferencë, duke lënë të kuptohet se ai do të mbetet jashtë parlamentit. Rakipi nuk arrin të sigurojë mandat për shkak të kuotës gjinore, pasi Anila Denaj dhe Blerina Gjylameti futen para tij falë kësaj kuote”, tha Erla Mëhilli.