Shkruan Zef Bushati
Shumë pak flitet rreth rrënjëve të origjinës së besimit të shqiptarëve. Apostulli Shën Pali besohet se ka kaluar dhe predikuar në territorin e Shqipërisë së sotme gjatë misioneve të tij Apostolike në shekullin I pas Krishtit, pra rreth viteve 58–60 pas Krishtit. Dëshmia biblike: Në Letren drejtuar Romakëve, kapitulli 15, vargu 19, Shën Pali shkruan: “Nga Jerusalemi dhe përreth deri në Iliri, e kam përhapur plotësisht Ungjillin e Krishtit.” (Romakëve 15:19) Iliria ishte një krahinë e madhe që përfshinte edhe një pjesë të Shqipërisë së sotme. Kjo është dëshmia më e hershme historike që lidhet me praninë e Shën Palit në rajonin tonë. Ku saktësisht mund të ketë shkelur ? Historikisht besohet se ai mund të ketë kaluar ose predikuar në: Dyrrah (Durrës) – një port i rëndësishëm në rrugën Egnatia, lidhje midis Romës dhe Lindjes. Apolloni (afër Fierit) – një qendër kulturore dhe fetare e madhe. Zona të tjera në Ilirinë e Jugut. Pra viti 58- 60 pas Krishtit është fillimi i përhapjes së Krishterimit në trojet shqiptare, që më pas u organizua në struktura kishtare dhe dioqeza gjatë shekujve të mëvonshëm.
Ne Europe të Krishterët u ndanë zyrtarisht në Katolikë dhe Ortodoksë në vitin 1054, në një ngjarje që njihet si Shkëputja e Madhe (Great Schism ose Schisma e Lindjes dhe Perëndimit). Shkaqet kryesore ishin çështje Doktrinare dhe Teologjike (si për shembull formulimi i kredos “Filioque”). Shkak ishin dhe mosmarrëveshjet për autoritetin e Papës në Romë. Perëndimi e njihte si udhëheqës të gjithë Kishës, ndërsa Lindja nuk e pranonte autoritetin e tij absolut. Një arsye tjeter ishte edhe Kultura dhe Gjuha. Perëndimi përdorte latinishten, Lindja greqishten. Edhe çështjet politike dhe gjeopolitike, që pasqyronin ndarjen midis Perandorisë Romake të Perëndimit dhe asaj të Lindjes (Bizantit) u bënë shkak për ndarje në vitin 1054. Përfaqësuesit e Papës dhe të Patriarkut të Kostandinopojës anatemuan njëri-tjetrin, duke zyrtarizuar ndarjen midis Kishës Katolike Romake Perëndimore dhe Kishës Ortodokse Lindore. Kjo ndarje mbetet ende në fuqi sot, megjithëse ka pasur përpjekje për dialog dhe afrime ndërmjet dy palëve, sidomos në shekujt e fundit.
Shqiptarët Europianë nuk u ndanë në Katolikë dhe Ortodoksë si pasojë e një konflikti të brendshëm kombëtar, por si pasojë e Ndarjes së Madhe të Krishtërimit në vitin 1054 dhe ndarjes politike të trojeve shqiptare nën ndikimin e Perandorisë Bizantine në lindje dhe asaj Romake / në Perëndim.
Si ndodhi kjo ndarje ndër shqiptarë ? Përpara vitit 1054, shqiptarët ishin të Krishterë të Bashkuar kudo ku ata jetonin në Trojet e tyre në Shqipëri, Kosove, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e Greqi dhe ishin pjesë e Kishës së Hershme. Mbas Shkëputjes së Madhe, ndarja fetare filloi të pasqyrohej edhe ndër shqiptarë, në varësi të zonave ku jetonin. Katolikët shqiptarë, kryesisht në veri dhe perëndim, në zonat (Shkodër, Vlorë, Durrës, Shkup, Lezhë, Dukagjin, Malësi, Gjakovë, etj.), ishin nën ndikimin e Perëndimit (Kisha e Romës). Mbështeteshin shpesh nga Venediku, më vonë edhe nga Austria. Ortodoksët shqiptarë, kryesisht në jug dhe lindje (Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Përmet, Voskopojë), nën ndikimin e Patriarkanës së Kostandinopojës, (përmes Kishës Ortodokse Greke ). Por kjo për Shqiptarët nuk ishte ndarje e një konflikti. Shqiptarët ruajtën Identitetin Kombëtar mbi Identitetin Fetar, sidomos në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Gjergj Kastrioti Skënderbeu i bashkoi shqiptarët përtej fesë. Patriotët shqiptarë në shek. XIX-XX si Pashko Vasa theksuan: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.”
Shqiptarët filluan të ndryshonin besimin nga të Krishterë në Mysliman pas Pushtimit Osman, që filloi në fund të shekullit XIV dhe u konsolidua në shekullin XV. Periudhat kryesore të islamizimit nisën në Shekullin e XV–XVI. Fillimi i konvertimeve nisi pas vdekjes së Skënderbeut (1468) dhe rënies përfundimtare të Kështjellës së Krujës (1478), Pushtimi Osman u bë i plotë. Fillimisht, islamizimi ishte i kufizuar dhe i përqendruar kryesisht në elitat lokale, që kërkonin privilegje politike dhe ekonomike. Konvertimi në islam siguronte Shmangien e taksave të rënda që paguanin të Krishterët (si xhizja), Qasje më të lehtë në administratën Osmane dhe mbrojtje ligjore më të favorshme. Shekulli XVII–XVIII nisi Islamizimi në masë. Ky është kulmi i konvertimeve në Islam, sidomos në zonat urbane dhe fshatare të ulëta ( Shkodër, Kosove, Diber, Shkup, Elbasan, Kavaje, Berat, Gjirokastër etj.) Perandoria Osmane shtypi disa kryengritje me karakter fetar dhe kombëtar (si ato të Malësisë apo të Epirit) dhe përforcoi kontrollin përmes institucioneve fetare islame. Megjithate mund te thuhet se ndryshimi i fesë te shqiptarët ishte një proces i gjatë, kompleks dhe shpesh pragmatik, jo domosdoshmërisht thellësisht fetar, por i favorizuar përmes kushteve ekonomike dhe sociale. Kishat Katolike dhe ajo Ortodokse u përndoqën, u varfëruan ose u vendosën nën kontrollin osman. Shekulli XIX ishte përfundimi i procesit. Në këtë kohë, shumica e shqiptarëve ishin kthyer tashmë myslimanë (sipas statistikave osmane dhe të huaja). Madje shfaqën dallime të brendshme brenda islamit, Sunitë dhe Bektashinj. Megjithate shume zona, si Shkodra, Malësia e Madhe, Mirdita, Puka, Zadrima, Lezha Korça, Permeti, Gjirokastra, Himara etj., e ruajtën Krishterimin, shpesh për shkak të traditës por edhe ndikimeve të jashtme (Italia, Venediku, Austro-Hungaria, Spanja, Greqia, etj.)