Varri, që harrimi e përpiu dhe shpirti që u fik

0

Shkruan Albert Vataj

Çapitja e hapave e pëshpërima e zërave, i kishin lënë vendin një heshtjeje që nderej si një mantel llamburitës mbi varreza. Nata strukej nëpër degët e qiparisave si tufë korbash. Drita e qirinjve dridhej purtek mermerëve. Te një cep ku errësira zhytej pus, diçka lëvizi. Pasoi një zhurmë e pakët dhe më pas…
Ai u zgjua nga një gjumë i gjatë e i thellë. Shkundi pluhurin e kohës, që i kishte rënë mbi supe. Shtriqi gjymtyrët dhe i dha vetes të ngrihej. Tentoi për herë të dytë, por pa mundur dot të shkulej.
I dha edhe një herë, dhe… doli nga dërrasat e kalbura, e flakuroi vrullshëm jashtë. Ishte natë, natë t’shumësh, nata e kujtesës dhe përshpirtjes, nata e shenjtorëve. Rretheqark s’pipëtinte asgjë. Një heshtje që vetëm në varre mund të dëgjohet kaq gjëmimshëm, kishte gllabëruar gjithçka të këtij teatraliteti ndërdybotësh. Ngado, statuja guri, engjëj të murosur, kryqe e ikona të gjithfarshme, dhe qirinjtë që dridheshin në kuqëlimin e dritës, duke u pakur në flakën e vet.
Lule, lule gjithandej. Diku, diku, ndonjë send që i është kthyer të ikurit, rri mbi mermerët që djersijnë nga nata. Lutjet dhe përshpirtjet janë tretur në eter e kryqeve dhe ikonave që shpojnë terrin.
Ndërsa përpiqej të vizatonte peizazhin mortor të kësaj nate solemne, natë të të ngjiturit të shpirtit në qiell… apo të fikunit në ajrin e cergëta të harrimit, u përmend dhe pa se ishte ulur mbi varrin e tij.
Ç’të shihte?!
Një pllakë e thyer ku pothuajse ishin shuar çdo shkronjë e germë. Çdo konturë dhe shifër ishte ngrënë nga koha dhe harrimi. Ai kishte harruar emrin e tij. Vitin kur kishte lindur dhe kur kishte vdekur, nuk e dinte, dhe s’skishte mbetur asgjë në fytyrë të kësaj toke që t’ia tregonte. Rrethaz barishte dhe ferra harbonin, duke u gërmushur pikëllimshëm mbi varrin, që e kishte bluar shiu e akulli, era e cerga, pakujdesi e mohimi. Atë drejtkëndor betoni, që po e hante dheu, e rrethonte një ceremonial i mermertë mortorë që shtrihej ngado, duke e mbajtur pezull këtë botë shpirtrash.
E preku me duar atë copës të mbetur të asaj kujtese të akullt, që rrekej ta mbante në jetën e përjetshme, ashtu përdhunshëm. E preku me drojë dhe ledhatime të gërrvimta, dhe një ndjesi e akullt e përshkonte. I dukej se një rrymë po tentonte ta përpinte, për ta kthyer nga kishte ardhur.
Ishte hera e parë, dhe e fundit, që ai vinte, jo për të takuar dikë, për t’iu dhënë ndonjë pengu apo përmbushur amanetin që s’e tret dheu, se sa për të parë e ndjerë, nëse ndonjë kujtesë po e priste. Por jo!
U kredh gjatë duke prekur varrin e tij, atë çfarë kishte mundur ti bënte qëndresë harrimit.
Vdekur kishte qyshkur, por sot ai po ndjente, se kishte ardhur momenti të shuhej, për të mos mbetur më asgjë, për t’u ndarë me përjetësinë, duke shpërbërë brenda vetes edhe shkëndijën e fundit të dritës së amshimit.
U ngrit në këmbë dhe duke u mbajtur mbi një kryq të thyer, ia nguli sytë e fikur qiellit, dhe me sa fuqi që kishte i’a dha një britme të thekshme. Pemët u dridhen e toka u tund, qielli u hap. Pushtoi ai zë i mbramë shpirti si një jehonë e gjatë duke kapluar rrathekrah frikshëm.
Qyteti u zgjua i lemerisur, ende pa zbardhur drita, nga piskama e mistershme që vijonte të jehonte, duke rrokaqiellur. Askush nuk mori vesh se ç’farë kishte ndodhur, deri me pak ditë, kur roja i varrezave i shastisur nga thirrja, ishte tundur nga kllapia e gjumit, për t’iu vënë pas zhurmës dhe për të sosur te një varr që e kishte përpirë dheu.

Miq!
Të shtrenjtit tanë, edhe ne një ditë, do të ikim, me shpresën se kemi lënë pas dikë të na kujtojë, dikë të kthehet një ditë dhe të ndezi një qiri duke na bërë fajtor, për çfarë nuk mundëm të ishim për ta, apo të na kërkojë falje, për çfarë atë e bën fajtor, sa jetën ndanim bashkë.
Jo vdekja, jo, por mohimi na ndan një here e përgjithmonë nga të shtrenjtit tanë, nga ata që ikën pa na marrë leje, edhe ata që shkuan në një jetë tjetër, duke marrë me vete një pjesë tonën.
Nëse ata që i deshëm, duam ti kemi përgjithmonë me ne, sa të jemi, duhet t’i kujtojmë. Ndoshta nuk kemi para tu bëjmë varre monumentale, t’u thurim memuare apo t’i përjetësojmë në akte sublimiteti, por nëse kemi respekt për veten, dashuri, mall për ta, dhe dhimbje, i kujtojmë, e ç’rëndësi ka, me një foto të postuar në rrjetet sociale, një përshpirtje, ndezjen e një qiriri, apo pastrimin e pllakës së varrit. Thjeshtë nuk i lëmë që ata të harrohen dhe harrimi t’i shuaj përgjithmonë ata dhe të marrë nën kërcënim çfarë e tyre është në ne dhe çfarë ne jemi në dimensionet e përjetësisë.

Ai varr që toka përpiu është një shpirt i fikur, një britmë në heshtjen e trazimtë, ku përkundet e shkundet përditshmëria jonë, dhe misterit prejku dheu u shemb, që vjen, për të na kujtuar se askush nuk vdes kur dorëzon frymën këso jete, por kur harrohet.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu