Prostitucioni politik i Edi Ramës në dëm të UÇK

0

Shkruan Armand Maho

Shprehja e shkrimtarit të famshëm Samuel Johnson se “patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve”, mori më shumë kuptim në forumin e Uashingtonit, ku prostitucioni politik i Edi Ramës (një shprehje e përdorur nga ai vetë) për të fituar kredo të brendshme, duket se rëndoi akoma më shumë pozitat, të paktën politike, për katër anëtarët e UÇK që po gjykohen në Hagë nga gjykata e “Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Duke i kërkuar Presidentit amerikan të ndërhyjë, në një forum ku ishin mbledhur shumica e autokratëve të botës, të refuzuar në bllok nga BE ku Rama don të futet, ai veçse tregoi mënyrën se si e përdor drejtësinë në vendin e tij, tentoi tinëzisht të sfidojë dhe autoritetin e Presidentit amerikan në raport me Europën.

Shprehja “Për hir të Zotit, ndërhyni para se të ndodhë diçka e keqe” mund të gënjejë Batonin apo Karlonin dhe t’i japë ushqim qenërisë mediatike të tij, që e shet si nacionalist të madh, por në momentin delikat ku janë katër udhëheqësit e Kosovës, do shënonte gafën diplomatike dhe politike të radhës.

Kjo sepse, në raport me drejtësinë, Presidenti Amerikan është i zhveshur edhe në vendin e tij, jo më në Europë. Në vendin e tij një gjykatës distrikti ka të drejtë të mos lejojë zbatimin e një dekreti në territorin e tij, dhe kjo merr përparësi më shumë se një akt që mund të jetë edhe politik. Vendimi i drejtësisë para vendimeve politike ka prioritet. Kjo do të thotë ta vësh në vështirësi para gjithë botës.

E dyta, direkt apo indirekt, kjo mund të shkaktojë një situatë e cila mund të ndikojë në vendimmarrjen e Gjykatës. Ajo gjykatë financohet nga fondet e BE-së, e cila ka shpenzuar deri më tani jo pak, por 500 milionë euro. Hashim Thaçit, për shembull, iu komunikua akuza në qershor të vitit 2020, në avion teksa ishte duke udhëtuar drejt Ëashingtonit, ku e priste në takim Presidenti Trump. Ky fakt është i njohur botërisht, sepse avionit i hipi në Tiranë.

Nga ana tjetër, vetë Edi Rama ka qenë nga njerëzit më të zëshëm në vitin 2015 për ngritjen e Prokurorisë speciale në Prishtinë, që do gjykonte anëtarët e UÇK, për të fituar kredo politike tek ndërkombëtarët, por edhe tek Vuçiç, i cili loboi fort për ngritjen e saj. Nga ana tjetër, në atë forum ishte Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, një shtet që është prekur drejtpërdrejt nga pretenca e prokurorëve të Hagës. Pra, ndërhyrja e autokratit të Tiranës ishte krejt e pavend dhe perceptohet si ‘yshtje’ që ky i fundit kërkon t’i bëjë liderëve ndërkombëtarë për përfitime personale.

Kjo gafë politike në një moment të tillë nuk është e paqëllimtë. Është lëvizje e pamoralshme e liderëve tinzarë që, për të shpëtuar veten dhe për të marrë në përdorim narrativën e brendshme, luajnë me fatin e katër personave, dikur aleatë politikë, të cilët janë në moment kritik. Në këtë përballje që kanë me gjykatën, ata duhet të përballen edhe me perceptimin diplomatik të shteteve financuese si Gjermania, Hollanda apo Franca dhe Anglia, të cilat mund të ndikojnë në vendimin e Gjykatës.

Aq më shumë kur u pa qartë se në atë forum pjesëmarrja nuk ishte në bazë të vlerave demokratike të çdo vendi, por në bazë të interesave të ngushta politike dhe mbështetjes që SHBA mund të japin për ndonjë lider të caktuar (gjë e cila për Ramën mungoi). Përmendja e emrit të tij nga Presidenti Amerikan ishte thjesht protokoll dhe jo “I support him”, siç u tha, për presidentin e Argjentinës që vinte direkt pas Shqipërisë, Viktor Orbán e Hungarisë, apo edhe Vjosa Osmanin e Kosovës.

Pra, përzgjedhja e tezave nga Rama për atë takim ishte një mënyrë tinzare për të relativizuar problemin që ai ka me drejtësinë në vendin e tij, duke ia lënë topin në derë Europës. Jo më kot i përmendi Presidentit prokurorin Jack Smith, i cili në fakt hetimet për Tribunalin i ka filluar përpara se të shfaqej në hetimet e zotit Trump. Natyrisht Rama s’kish si përmendte aty rolin e mikut të tij McGonigal, të cilin Trump e ka përmendur shpesh si shembullin e korrupsionit të “Russiagate” në drejtësinë amerikane.

Në atë bord ishin shumë autokratë të botës, por në fakt delja e zezë u bë Edi Rama. Ata mund të kenë problem demokracie në vendet e tyre, por nuk kanë bashkëpunuar direkt me krimin transnacional, nuk kanë tentuar të ndërhyjnë me deklarata në zgjedhjet amerikane, nuk kanë pritur në zyrë përfaqësues të kartelit të Sinaloas. Prandaj, Rama u detyrua të shkelte me këmbë mbi fatin e katër ushtarëve të UÇK për të shpëlarë sadopak llumin në të cilin është zhytur. Prandaj, ai nuk u soll si një udhëheqës shteti që kërkon aleatë apo partnerë, por si një prostitutë që kërkon tutor.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu