Pritshmëri të mëdha, përgjegjësi historike

0

Shkruan Zef Ndreka

Plani i Paqes, akt që sfidon historinë.
Sa herë që në skenën ndërkombëtare artikulohet fjala paqe, bota ndalet për një çast. Jo sepse njerëzimi nuk e ka dëgjuar më parë, por sepse çdo brez vazhdon të shpresojë se ndoshta këtë herë ajo do të jetë reale, e qëndrueshme, e prekshme.
Planet e paqes nuk janë vetëm dokumente diplomatike, por ato mbartin mbi vete ankthin, lodhjen dhe aspiratat e miliona njerëzve që jetojnë nën hijen e konflikteve.
Pritshmëritë janë gjithmonë të mëdha. Janë të mëdha sepse paqja në vetlvete përfaqëson më shumë se një marrëveshje politike. Paqja është rikthim i besimit, rikthim i sigurisë dhe i normalitetit.
Por bashkë me shpresën vjen edhe pesha e përgjegjësisë historike. Vendimet e marra në tryeza të tilla nuk i përkasin vetëm të tashmes, por ato formësojnë kujtesën kolektive dhe fatin e shoqërive për vite, ndoshta për dekada të tëra.
Historia ka treguar se paqja është e lehtë për tu shpallur, por e vështirë për tu ndërtuar. Ajo kërkon më shumë se nënshkrime dhe deklarata. Së pari kërkon vullnet, kërkon guxim politik dhe mbi të gjitha kërkon sinqeritet. Sepse paqja e vërtetë nuk matet në fjalë, por në jetën e përditshme të njerëzve, matet në stabilitet, matet në drejtësi, matet në mungesë frike.
Prandaj, përballë çdo plani të ri, lind natyrshëm pyetja që shoqëron gjithmonë diplomacinë:
A do të arrihet paqja e premtuar?
Kjo është një pyetje që nuk shpreh vetëm skepticizëm, por edhe ndërgjegje historike. Sepse njerëzimi ka mësuar të shpresojë, por edhe të dyshojë.
Gjithsesi, paqja mbetet një ideal i madh, ndoshta më i vështiri për tu realizuar. Por është pikërisht kjo vështirësi që e bën atë të domosdoshme. Ndaj çdo përpjekje për ta arritur paqen, pavarësisht rezultatit, mbetet një akt që sfidon historinë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu