Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se takimi me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfundoi pa marrëveshje lidhur me kandidaturën për presidentin.
Kurti tha se kishte ofruar disa opsione bashkëpunimi, përfshirë bashkëqeverisjen, postin e zëvendëskryeministrit dhe disa ministri për LDK-në, si dhe drejtimin e Kuvendit, por asnjë prej tyre nuk u pranua.
“Sapo përfundova takimin me Abdixhikun, të cilin e falënderoj! Mirëpo, më duhet të konstatoj se bisedimet ishin të pasuksesshme, për shkak se asnjëra nga ofertat nuk u pranua nga ai. Fillimisht ne ofruam që LDK të jetë në bashkëqeverisje me ne, ta ketë zv.kryeministër, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendës i imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë kapitull të ri të bashkëpunimi. Ia ofrova edhe kryetarin dhe nënkryetarin e Kuvendit. Por përveç kësaj, LDK do ta kryesonte edhe legjislativin, ndërkohë që për Glaukun nuk kërkuan votë, por vetëm votim “pro, kundër, ose abstenim”. As kjo nuk u pranua, ishte një mundësi”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se nuk ka më oferta të reja për të bërë, ndërsa paralajmëroi se nëse nuk arrihet zgjidhje në ditët në vijim, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
“Tani nuk kemi se çfarë ofertash tjera të bëjmë, as u kërkua diçka tjetër prej nesh. Ju e dëgjuat deklarimin e Konjufcës, i cili ka thënë se unë tërhiqem nëse ka kandidat konsensual. Ne nuk e kemi pasur me patjetër atë. Vetëvendosja ka mazhorancë me 66 deputetë, jemi të vetmit që kemi sjellë emra. E kemi pasur emrin e Andin Hotit. Në takimet që kam pasur edhe me Hamzën dhe Abdixhikun, vetëm unë kam folur me emra të përveçëm. Ata nuk po flasin me emra të përveçëm. Nëse nuk ndodh diçka ditëve të mbetura, më mbetet të konstatoj që ka më shumë interesim për zgjedhje të reja sesa prezantohen në publik. VV-së i intereson të ketë mbarëvajtje të punëve, ju e dini që ngelem kryeministër në detyrë, por vendi mbetet pa parlament”, deklaroi Kurti.








