Shkruan Zef Ndreka
Në fushatën elektorale për zgjedhjet psrlamentare që sapo ka nisur në Kosovë, nga lëvizja Vetë Vendosje është kandiduar për deputetë edhe një hoxhë.
Nisur nga shfaqjet e tepruara, transmetuar hera-herës edhe në video, kemi parë Albin Kurtin prej vitesh duke ngrënë çorbë me hoxhallarë.
Për ta thonë shkurt dhe troç, kësaj i bie:
Koka në Stamboll e trupi në Prishtinë!, duke ju larguar qartazi orientimit euro-atllantik…
Uroj të mos jetë kështu!
Ndaj vlen për ta analizuar këtë rast dhe për ta bërë më të qartë për lexuesin, pse jo edhe për elektoratin.
Dihet se përfshirja e figurave fetare në politikë nuk është diçka e pazakontë në demokraci. Në shumë vende të botës, njerëz me profil fetar kandidojnë në zgjedhje, ashtu siç kandidojnë profesorë, artistë apo përfaqësues të komuniteteve të ndryshme.
Por në Kosovë, kjo çështje bëhet shumë e ndjeshme për shkak të historisë së shtetformimit të saj dhe orientimit strategjik që vendi ka shpallur prej kohësh. Dhe në teori, ky orientim është integrimi euro-atlantik dhe partneritet të ngushtë me Perëndimin.
Por prej vitësh dhe së fundmi, Albin Kurtin e shohim të afruar me figura fetare islame si një lëvizje politike për të zgjeruar bazën elektorale. Ky është një sinjal i qartë i tij që praktikisht ka krijuar paqartësi mbi identitetin politik e kulturor të Kosovës. Sidomos tashmë që këto afrime shoqërohen me simbolika publike, vizita, darka apo dalje mediatike të theksuara me hoxhallarë! Këto lëvizje të Albin Kurtit interpretohen dhe shihen nga një pjesë e opinionit si një përpjekje për të luajtur me ndjenjat fetare të elektoratit.
“Koka në Stamboll e trupi në Prishtinë” është pikërisht shprehja që përdoret, për të nënvizuar frikën se Kosova po fillon qartazi të largohet gradualisht nga modeli laik dhe perëndimor i shtetit, duke u ndikuar më shumë nga politika neo-otomane apo nga ndikime kulturore e fetare që vijnë nga Turqia. Kjo frikë, lidhet edhe me faktin se në Ballkan, feja gjithnjë është përdorur si instrument i ndikimit gjeopolitik.
Kemi parë zyrtarisht deri më sot, se institucionet e Kosovës kanë vazhduar zyrtarisht të mbështesin integrimin në BE, partneritetin me SHBA-të dhe bashkëpunimin me NATO-n. Dhe Kosova mbetet një nga vendet më pro-amerikane në rajon. Kjo gjë tashmë është e rrënjosur thellë në vetëdijen politike të shumicës së qytetarëve, pavarësisht lojrave të Albin Kurtit.
Lind pyetja:
Çfarë identiteti politik po ndërton VV-ja?
Ky duhet të ishte më shumë debati i vërtetë në këto zgjedhje të parakohëshme.
Një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare kërkon që politika të ruajë qartë karakterin laik të shtetit dhe të mos përdorë fenë për mobilizim elektoral, me argumentin se Kosova u ndërtua mbi aleancën me Perëndimin dhe mbi idenë e një shteti modern, qytetar dhe europian dhe jo mbi identitete fetare.
Shqetësimi kryesor i kësaj analize nuk është aspak profesioni fetar i një kandidati, por fakti se politika filloi të ndërtohet mbi ndarje fetare dhe mbi influenca që bien ndesh me karakterin demokratik dhe perëndimor të Kosovës. Kosova tashmë ka një traditë të bashkëjetesës fetare dhe kjo është një nga vlerat më të çmuara të saj.
Sot sfida e tyre është dhe duhet të mbetet që feja të mos kthehet në instrument polarizimi politik apo orientimi gjeostrategjik siç po luan Kurti.
Promoted Content







