Shkruan Zef Ndreka
Nën petkun e qytetarisë dhe të së drejtës legjitime për protestë, po shfaqet një shumatore interesash që, sipas meje, bien ndesh me interesin kombëtar shqiptar.
Në këtë përzierje gjen gjithçka. Gjen ambicie politike, ndikime të jashtme, ideologji të papajtueshme mes tyre dhe grupe që kërkojnë të përfitojnë nga pakënaqësia qytetare.
Koha do të tregojë se cilat janë qëllimet e vërteta dhe kush përfiton nga kjo situatë.
I daltë për mirë Shqipërisë!
Më vjen të bëj disa pyetje:
Çfarë do të ndërtohet mbi rrënojat e kësaj demokracie?
Sepse na ka ndodhur dhe më duket se po ndodh si përherë, që ato që vijnë në pushtet, janë më keq se ato që ikin!
Pyetja tjetër:
A i duhet falur koha kohës?!
Duket si pyetje me frymë sokratike sepse zor se gjen apo jep përgjigje, por mbase shërben e nxit reflektimin.
Vazhdojmë me pyetjet:
Çfarë do të ndërtohet pas kësaj proteste?!
A do të kemi rrënoja?!
Historia na ka mësuar se jo çdo rrëzim sjell përmirësim. Zakonisht, ata që vijnë në pushtet duke premtuar ndryshimin, përfundojnë duke përsëritur ose edhe duke thelluar gabimet e paraardhësve.
Prandaj shqetësimi nuk është vetëm se kush duhet të largohet, por edhe se kush do të vijë dhe çfarë modeli qeverisjeje do të ndërtojë.
Vazhdoj me pyetjet tjera:
A mjafton zemërimi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë? A mjafton protesta për të krijuar institucione më të forta? Apo rrezikojmë që mbi rrënojat e një zhgënjimi të ndërtojmë një zhgënjim edhe më të madh?
Ndoshta, siç thotë urtësia popullore, duhet ti falim kohës kohën. Por jo duke pritur pasivisht. Koha, vetvetiu, nuk zgjidh asgjë; janë qytetarët, institucionet dhe kultura demokratike që i japin kuptim rrjedhës së saj.
Pyetja e fundit:
A po kërkojmë një demokraci më të mirë, apo thjesht zëvendësimin e atyre që qeverisin sot?







