Kreu Hapësirë Gi dë Mopasan, mjeshtri i tregimit dhe kronikani i pesimizmit njerëzor

Gi dë Mopasan, mjeshtri i tregimit dhe kronikani i pesimizmit njerëzor

0
23

Shkruan Albert Vataj

Gi dë Mopasan, pena majëmprehtë, përmes historive të rrëfyera në një stil lakonik, zbuloi mekanizmat më të fshehtë të natyrës njerëzore. Me një realizëm të pamëshirshëm, një stil të përkryer dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të depërtuar në psikologjinë e njeriut, ai e shndërroi tregimin e shkurtër në një nga format më të larta të artit letrar. Çdo faqe e tij është një përballje me të vërtetën, ndërsa çdo fund i papritur është një pasqyrë ku njeriu sheh dobësitë, lakmitë, iluzionet dhe vetminë e vet.
​I konsideruar si “babai i tregimit të shkurtër”, shkrimtari francez Gi dë Mopasan (Guy de Maupassant) u lind më 5 gusht 1850 në Kështjellën e Miromesnilit, në Normandi, dhe u shua më 6 korrik 1893. Gjatë jetës së tij intensive, ai shkroi rreth 300 tregime të shkurtra, gjashtë romane, tre libra udhëtimesh dhe një vëllim poetik.
​Fëmijëria e tij u shënua nga ndarja e hershme e prindërve, Gustave de Maupassant dhe Laure Le Poittevin, një grua me kulturë të gjerë letrare, mikeshë e ngushtë e shkrimtarit të madh Gustav Flober që nga rinia. Ishte pikërisht nëna e tij ajo që i mbolli djalit dashurinë për letërsinë dhe e futi në botën intelektuale pariziene. Për jetën private dhe dashuritë e shkrimtarit dihet relativisht pak, por ajo që pranohet botërisht është se ai e mori përvojën e vet jetësore dhe e shndërroi në dhjetëra histori librash, i bindur se vetëm përmes artit ajo do të ishte e përjetshme.
​Krijimtaria e tij nisi vrullshëm. Tregimi i tij i parë i botuar, Topthi i Dhjamit, 1880, shpesh konsiderohet kryevepra e tij dhe shënoi një hyrje triumfale në letërsinë franceze. Ai u përfshi fillimisht në antologjinë kolektive Mbrëmjet e Medanit, së bashku me shkrimtarë të tjerë naturalistë.
Si i ri, Mopasani luftoi në Luftën Franko-Prusiane (1870–1871). Kjo përvojë traumatike la gjurmë të thella tek ai dhe shërbeu si mjedis për shumë prej tregimeve të tij, përfshirë edhe vetë “Boule de Suif”, duke përshkruar me vërtetësi tragjedinë dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm.
​Përveç tmerreve të luftës, ai gjeti frymëzim edhe te sjellja hipokrite e borgjezisë normande dhe pariziene, duke i kthyer ata në shënjestër të pesimizmit të tij thumbues dhe stilit majëhollë. Si përfaqësues i shquar i shkollës Naturaliste, Mopasani e pasqyroi jetën, fatet njerëzore dhe forcat shoqërore me tone zhgënjyese, duke ndërtuar tregime me strukturë të përpiktë, gjuhë të kursyer dhe përfundime të papritura e goditëse.
​Në këtë rrugëtim letrar, Gustav Flober e mori nën mbrojtje duke vepruar si mentor i tij ligjor dhe letrar. Ai i korrigjonte dorëshkrimet dhe i mësoi disiplinën e rreptë të stilit. Në shtëpinë e Floberit, Mopasani u njoh me Emil Zolën, romancierin rus Ivan Turgoniev, si dhe me shumë ithtarë të tjerë të realizmit. Krahas tregimeve, romanet e tij të njohura si “Një jetë”, 1883 dhe “Bel-Ami” (1885) i dhanë famës së tij një dimension të ri, duke portretizuar me sy kritik ngjitjen shoqërore, ambicien dhe dëshirat e fshehta të njeriut modern.
​Mopasani ishte një shkrimtar jashtëzakonisht popullor gjatë jetës së tij. Ai pati fatin të shihte që tregimet e tij lexoheshin gjerësisht dhe i sillnin të ardhura të konsiderueshme, një sukses i rrallë për artistët e asaj kohe.
​Megjithatë, suksesi financiar nuk e shpëtoi dot nga fundi tragjik. Në vitet e mëvonshme, shkrimtari zhvilloi një dëshirë obsesive për vetmi, frikë nga vdekja dhe mani persekutimi. Këto çrregullime mendore vinin si pasojë e sifilizit, sëmundje nga e cila ishte prekur që në rini dhe që gradualisht i dëmtoi sistemin nervor, duke i shkaktuar halucinacione dhe kriza të rënda depresive.
​Më 2 janar 1892, në kulmin e dëshpërimit, Mopasani u përpoq të kryente vetëvrasje duke prerë fytin. Pas kësaj ngjarjeje, ai u shtrua në një azil privat në Paris, ku u shua më 6 korrik 1893, në moshën 42-vjeçare.
​Gi dë Mopasan la pas si epitaf të vetin një fjalë që përmbledh gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij:
​”Unë kam lakmuar gjithçka dhe nuk kam gjetur kënaqësi në asgjë.”
​Ky pohim melankolik mbetet sinteza e shpirtit të tij, të cilin ai ua dhuroi personazheve të veta midis shkëlqimit të agimeve dhe errësirës së muzgjeve, duke jetuar çdo ankth, hidhërim e gazmim të tyre. Trashëgimia e tij letrare mbetet sot një nga shtyllat kryesore të tregimit modern, duke frymëzuar breza të tërë shkrimtarësh në mbarë botën.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu