Shkruan Zef Ndreka
Zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike tregojnë një prirje të qartë drejt centralizimit të vendimmarrjes dhe reduktimit të pluralizmit të brendshëm. Emërimi i një ekipi të ri drejtues, i përbërë kryesisht nga figura të panjohura në jetën politike, pa përvojë të spikatur drejtuese dhe pa një profil publik të konsoliduar, ngre pikëpyetje mbi kriteret që kanë përcaktuar përzgjedhjen e tyre.
Në Partinë Demokratike, promovimi i brezit të ri është një zhvillim pozitiv kur ai shoqërohet me meritokraci, me përvojë, me ide të reja dhe me aftësi për të debatuar. Por kur këto figura të reja ngjiten në nivelet më të larta vetëm falë besnikërisë ndaj liderit dhe jo falë kontributit të tyre politik, atëherë kemi të bëjmë me një proces kontrolli dhe jo rinovimi.
Historikisht, Partia Demokratike ka qenë një organizatë ku kanë bashkëjetuar figura me personalitete të forta, me mendime të ndryshme dhe me debate të hapura. Edhe në momentet më të vështira të saj, aty kanë ekzistuar zëra kritikë që kanë ndikuar në orientimin e politikave të partisë. Pikërisht kjo e dallonte PD-në si një forcë politike pluraliste.
Sot, kjo kulturë duket se është zbehur ndjeshëm. Debati i brendshëm është zëvendësuar nga uniformiteti i qëndrimeve, ndërsa besnikëria ndaj kryetarit duket se ka marrë përparësi ndaj çdo mendimi kritik.
Në këto kushte, strukturat drejtuese rrezikojnë të shndërrohen në mekanizma miratimi të vendimeve të një qendre të vetme dhe jo në institucione politike që prodhojnë ide, alternativa dhe vizion.
Kështu, Partia Demokratike pa debat të brendshëm, po humbet aftësinë për tu vetëkorrigjuar, sepse mungojnë mendimet ndryshe, po rritet rreziku i gabimeve strategjike dhe se askush nuk po guxon të sfidojë vendimet e drejtuesit.
Historia politike, jo vetëm në Shqipëri por edhe në të gjitha demokracitë më të konsoliduara, ka treguar se partitë që personalizohen rreth një individi e kanë shumë të vështirë të zgjerojnë bazën elektorale dhe të rikthehen në shumicë.
Kjo është edhe sfida kryesore e Partisë Demokratike sot. Ajo mund të ruajë një elektorat besnik dhe militant, por e ka shumë më të vështirë të fitojë besimin e votuesve të pa vendosur, të rinjve dhe qytetarëve që kërkojnë një opozitë moderne, të hapur dhe gjithëpërfshirëse.
Për të fituar zgjedhje nuk mjafton mobilizimi i bazës tradicionale, por nevojitet zgjerim, nevojitet dialog dhe aftësi për të tërhequr shtresa të reja të elektoratit.
Megjithatë, problemi sot nuk kufizohet vetëm tek PD-ja. Një pjesë e konsiderueshme e elektoratit opozitar nuk e gjen më veten as tek Partia Demokratike dhe as tek partitë e tjera ekzistuese. Këta qytetarë përbëjnë një potencial të madh politik, por energjia e tyre mbetet e shpërndarë, pa organizim dhe pa përfaqësim. Për pasojë, shumë prej tyre zgjedhin të mos votojnë ose të qëndrojnë indiferentë ndaj jetës politike.
Kjo krijon një boshllëk të rëndësishëm në sistemin politik shqiptar. Demokracia funksionale ka nevojë për një opozitë të fortë, konkurruese dhe me alternativa reale, që një pjesë e madhe e elektoratit të mos mbetet pa përfaqësim. Demokracia kështu dobësohet vetë, po ashtu cilësia e demokracisë dhe e kontrollit ndaj qeverisjes.
Pikërisht për të gjitha këto arsye, sfida më e madhe e viteve të ardhshme për vendin, mund të mos jetë reforma e Partisë Demokratike, por ndërtimi i një poli të ri opozitar. Një alternativë që të mos ndërtohet mbi kultin e individit, por mbi institucione të forta, mbi demokraci të brendshme, mbi meritokraci, mbi programe konkrete dhe një mbi një vizion të qartë për zhvillimin e vendit.
Një opozitë e re nuk duhet të lindë nga hakmarrjet personale apo nga ndarjet emocionale, por nga nevoja për tu dhënë zë qytetarëve që sot ndihen politikisht të papërfaqësuar. Vetëm një projekt i tillë mund të krijojë besim, të tërheqë energji të reja dhe të ndërtojë një konkurrencë të shëndetshme në jetën politike shqiptare.
Gjithsesi, zgjedhjet për mënyrën se si po organizohet Partia Demokratike, u përkasin anëtarëve dhe drejtuesve të saj. Por për demokracinë shqiptare mbetet me rëndësi që të ekzistojë një opozitë e aftë të konkurrojë me ide, me njerëz dhe me vizion. Pa pluralizëm të brendshëm nuk mund të ketë pluralizëm të vërtetë politik, ndërsa pa një opozitë të besueshme dhe gjithëpërfshirëse, demokracia shqiptare humbet një nga shtyllat e saj më të rëndësishme.







